SHBA tërhiqet nga Marrëveshja Globale për Migracionin e OKB-së

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar Kombet e Bashkuara se nuk do të marrin më pjesë në Marrëveshjen Globale për Migracionin.

Në vitin 2016, 193 anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së unanimisht miratuan një deklaratë politike jo-detyruese, Deklaratën e Nju Jorkut për Refugjatët dhe Emigrantët, duke u zotuar të mbështesin të drejtat e refugjatëve, t’i ndihmojnë ata me rivendosjen në vende të tjera, dhe të sigurojnë që ata të kenë qasje në arsim dhe vende pune.

Misioni i Shteteve të Bashkuara në OKB tha në një njoftim të shtunën se deklarata “përmban klauzola të shumta që nuk janë në përputhje me politikat e emigracionit dhe të refugjatëve të Shteteve të Bashkuara, dhe parimet e emigracionit të Administratës Trump”.

Njoftimi i tërheqjes amerikane nga pakti erdhi vetëm disa orë përpara hapjes së një konference globale mbi migracionin e planifikuar për të filluar të hënën në Puerto Vallarta të Meksikës. Qëllimi i takimit është negociimi i strategjive humane për t’u marrë me më shumë se 60 milionë njerëz në mbarë botën që janë zhvendosur me forcë për një sërë arsyesh.

Revista Foreign Policy tha se vendimi i presidentit për t’u tërhequr nga negociatat “nënvizoi ndikimin e vazhdueshëm të Stephen Miller-it, këshilltar politik 32 vjeçar i Shtëpisë së Bardhë, i cili ka përkrahur përpjekjet e administratës Trump për të kufizuar ndjeshëm emigracionin” në Shtetet e Bashkuara.

Revista tha se Shefi i Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly dhe Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions “u pajtuan fuqimisht me tërheqjen”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, e kundërshtoi tërheqjen, sipas revistës Foreign Policy. Ajo besonte se Amerika mund të ndikonte në negociatat globale për migracionin nëse do të merrte pjesë në takimin e Meksikës, sipas revistës, por përfundimisht vendimi i Presidentit binte ndesh me pikëpamjet e saj.

Ambasadorja Haley lëshoi një deklaratë të shtunën, duke thënë se “Amerika është krenare për trashëgiminë tonë të emigrantëve dhe udhëheqjen tonë të gjatë morale në sigurimin e mbështetjes për migrantët dhe refugjatët anembanë globit…por vendimet tona mbi politikat e emigracionit duhet të bëhen gjithmonë vetëm nga amerikanët”.

Ajo shtoi se “Ne do të vendosim se si t’i kontrollojmë më mirë kufijtë tanë dhe se cilët do të lejohen të hyjnë në vendin tonë. Strategjia globale në Deklaratën e Nju Jorkut thjesht nuk është në përputhje me sovranitetin e Shteteve të Bashkuara”./Voa