SHBA: Serbia dhe Kosova të angazhohen në dialog për çështjen “Haradinaj”

439
Sigal

Një diplomat i lartë amerikan u bëri thirrje udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës që të angazhohen në dialog dhe të zbusin mosmarrëveshjet lidhur me çështjen e urdhër-arresteve, nisur nga arrestimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Hoyt Brian Yee, zëvendës ndihmës sekretar i Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, i tha shërbimit serb të “Zërit të Amerikës” se është me rëndësi të mos lejohet që asnjë incident, qoftë arrestim apo tensione të tjera dypalëshe të ndikojë në procesin “e rëndësishëm” për normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve fqinje.

“Ne i nxisim udhëheqësit përgjegjës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë të bisedojnë dhe të gjejnë zgjidhje”, tha zoti Yee.

Ai theksoi se, ky incident mund të zgjidhet nëpërmjet institucioneve, në përputhje me ligjet e Francës, ose jashtë Francës. “Këto lloj incidentesh mund të zgjidhen dhe ne jemi të sigurt se do të zgjidhen”, tha diplomati amerikan.