SHBA: Senati shqyrton ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhje

524
Një komision i Senatit amerikan i hedh sot një shikim të ri çështjes se në ç’masë ndërhyri Rusia në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.
Sally Yates, e cila ka shërbyer si prokurore e përgjithshme në ditët e para të administratës Trump, do të dëshmojë sot përpara Komisionit për zbulimin për paralajmërimet që ajo i dha administratës së ardhshme për bisedat e këshilltarit të sigurimit kombëtar Michael Flynn me ambasadorin e Rusisë Sergej Kislyak në Uashington.
Presidenti Donald Trump e shkarkoi këshilltarin e sigurisë pas 24 ditësh, kur u shfaqën prova se Flynn kishte gënjyer Zëvendës Presidentin Mike Pence dhe të tjerët për bisedat e tij me diplomatin rus.
Sally Yates, e cila ishte zëvendës prokurore e përgjithshme nën ish presidentin Barak Obama, u shkarkua nga presidenti Trump pasi ajo refuzoi të mbronte urdhrin ekezekutiv të Presidentit për ndalimin e emigracionit dhe udhëtimeve.
Sot pritet të dëshmojë gjithashtu James Clapper, drejtor i zbulimit kombëtar në administratën Obama. Ai ka pohuar se Rusia u përpoq të rriste shanset e zotit Trump për të fituar duke ndërhyrë në kompjuterin e shefit të fushatës së kandidates demokrate Hillari Klinton.
Presidenti Trump vazhdon të hedhë poshtë pohimet se Moska luajti rol në fitoren e tij ndaj rivales Clinton. Në një koment në Twitter, zoti Trump i quajti këto pohime një lajm të rremë që shërbeu si justifikim i përdorur nga demokratët për të arsyetuar humbjen e zgjedhjeve.
Sigal