SHBA, publikohet emri i pengmarrësit dhe viktimave në një qendër veteranësh në Kaliforni

621
Zyrtarët e Kalifornisë kanë publikuar identitetin e personit të armatosurit dhe tre pengjeve që ai vrau të premten në një shtëpi veteranësh në Kaliforninë Veriore.
I dyshuari është identifikuar si 36-vjeçari Albert Wong, i cili u gjet i vdekur të premten në mbrëmje në ndërtesën ku ndodhi ngjarja.
Pengjet e vrarë ishin të gjitha punonjëse të shëndetit mendor të shtëpisë së veteranëve të luftës që vuajnë nga çrregullime të stresit post-traumatik. Ato janë Christiane Loeber 48 vjeç, Jen Golick 42 vjeç dhe Jennifer Gonzalez 29 vjeç.
Në një mesazh në twiter të shtunën Presidenti Donald Trump shprehu pikëllimin për atë që e cilësoi ngjarje tragjike. “Jemi në zi për humbjen e tre grave të jashtëzakonshme që kujdeseshin për veteranët tanë”, tha ai.
Zyrtarët thonë se Albert Wong-ut i ishte kërkuar kohët e fundit të largohej nga programi i shtëpisë së veteranëve Pathway. Arsyet për largimin e tij nuk janë ende të qarta.
Sipas autoriteteve personi i armatosur vuante çrregullime të stresit post-traumatik dhe kishte shërbyer në Lindjen e Mesme.
Trupat e pajetë u zbuluan rreth tetë orë pasi Wong hyri në godinë ndërsa stafi po zhvillonte një mbledhje.
Nuk dihet ende se kur ka vdekur personi i armatosur dhe pengjet e tij. Autoritetet kishin tentuar ta kontaktonin pengmarrësin gjatë gjithë ditës.
Sigal