SHBA paralajmëron rifillimin e plotë të shërbimeve të vizave në Turqi, ja përgjigjja e Stambollit

168
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Ankara bëri të ditur se shërbimet e vizave në Turqi do të rifillojnë plotësisht, transmeton Anadolu Agency.
Në deklaratën nga ambasada amerikane bëhet e ditur se që nga muaji tetor e deri më tani, autoritetet turke nuk kanë filluar ndonjë hetim të ri për punonjësit lokalë në misionet diplomatike amerikane në Turqi.
Siç theksohet nga ambasada, autoritetet turke kanë respektuar garantimin e dhënë në nivel të lartë se nuk do të arrestojnë punonjës lokalë të ambasadës ose konsullatave amerikane në Turqi.
Ambasada bën të ditur se nëse autoritetet e Turqisë synojnë të arrestojnë ndonjërin nga punonjësit në misionet diplomatike të SHBA-ve në Turqi në të ardhmen, atëherë ato së pari duhet t’i njoftojnë autoritetet amerikane para se të ndërmarrin hap.
“Bazuar në garantimin në fjalë, Departamenti Amerikan i Shtetit beson se gjendja e sigurisë është përmirësuar mjaftueshëm për të rifilluar plotësisht dhënien e shërbimeve për viza në Turqi”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Pas SHBA-ve, edhe Turqia njofton largimin e kufizimeve në viza
Pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) njoftuan rifillim të plotë të shërbimeve të vizave në Turqi duke pohuar se autoritetet turke “kanë respektuar garancitë e dhëna për mosarrestim të punonjësve të misioneve diplomatike amerikane në Turqi”, Ambasada e Turqisë në Washington po ashtu njoftoi heqjen e njëkohshme të kufizimeve në regjimin e vizave, duke theksuar se SHBA-ve nuk i është dhënë asnjë garanci lidhur me dosjet të cilat janë në procedim gjyqësor.
“E përshëndesim vendimin e SHBA-ve për heqjen e kufizimeve të vizave për shtetasit tanë dhe kthimin në rendin e mëparshëm. Bazuar në parimin e reciprocitetit, edhe pala jonë heq njëkohëshëm kufizimet në regjimin e vizave për shtetasit amerikanë”, thuhet në deklaratën e ambasadës turke në SHBA.
Nga ana tjetër, ambasada është përgjigjur edhe ndaj pohimit të ambasadës amerikane, të cilët më herët theksuan se autoritetet turke nuk kanë kryer asnjë hetim ndaj punonjësve lokalë të misioneve diplomatike amerikane në Turqi dhe kanë respektuar garantimin e dhënë në nivel të lartë se nuk do të arrestojnë punonjës lokalë të ambasadës ose konsullatave amerikane në Turqi.
“Për sa i përket garancive që përmenden në deklaratën e SHBA-ve, duam të theksojmë se Turqia është shtet ligjor dhe se qeveria jonë nuk ka dhënë asnjë garanci për dosjet që janë në procedim gjyqsor. Asnjë zyrtar i asnjë përfaqësie në vendin tonë nuk është hetuar për shkak të kryerjes së detyrës zyrtare”, thuhet nga ambasada turke në Washington.
Ambasada turke po ashtu thekson se nuk është korrekte që të keqinformohet opinioni duke pohuar se SHBA ka marrë garanci nga Turqia.
Në fund të deklaratës janë shprehur shqetësime për proceset gjyqsore ndaj disa shtetasve turq në SHBA.
“Zyrtarët turq do t’i vazhdojnë bisedimet me zyrtarët relevantë amerikanë në mënyrë që këto procese gjyqsore të zgjidhen në mënyrë të kënaqshme”, theksohet në deklaratë.
Pezullimi i vizave nga SHBA-të erdhi pasi autoritetet turke më 4 tetor shqiptuan masë arresti me paraburgim për Metin Topuz, punonjës i Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-ve në Stamboll, i arrestuar më 25 shtator për lidhje me organizatën terroriste FETO.
Paraburgimi për punonjësin e konsullatës u caktua në kuadër të hetimeve ndaj FETO-s, pasi për të dyshuarin ishte zbuluar se ka pasur kontakte me disa të dyshuar të FETO-s, përfshirë edhe ish-prokurorin e arratisur të FETO-s, Zekeriya Öz, dhe ish-drejtorët policorë Yakup Saygılı, Nazmi Ardıç, Mahir Çakallı dhe Mehmet Akif Üner, ndaj të cilëve është hapur procedim gjyqësor.
Pas arrestimit të të dyshuarit Topuz më 25 shtator, kishte pasuar reagimi i SHBA-ve. Në përgjigje të këtij reagimi, Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë kishte njoftuar se “I privuari nga liria nuk është në listën zyrtare të stafit të konsullatës amerikane dhe se nuk ka asnjë imunitet diplomatik apo konsullor”.
Pezullimi i vizave nga SHBA-të u pasua me kundërpërgjigje të njëjtë edhe nga Ankaraja.