SHBA nuk mund të pranojë armatimin bërthamor të Penianit

123
Kërcënimi i një sulmi bërthamor nga Koreja e Veriut po intensifikohet. Kështu deklaroi Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis, i cili po zhvillon një vizitë në Korenë e Jugut.

Por zoti Mattis gjithashtu paralajmëroi se Peniani do të përballej me një “përgjigje masive ushtarake” në rast se do të përdorte armë bërthamore.

“Koreja e Veriut ka intensifikuar kërcënimin që i kanos fqinjëve dhe botës përmes programit ilegal dhe të panevojshëm të armëve bërthamore,” u shpreh Mattis, teksa shtoi se bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut ka marrë një tjetër dimension.

Sipas Mattis, Uashingtoni nuk mund të pranojë një Kore Veriore bërthamore.

Zoti Mattis ndodhet në Seul në kuadër të bisedimeve të përvitshme të mbrojtjes me Korenë e Jugut. Vizita e tij i paraprin vizitës që presidenti Donald Trump do të zhvillojë në nëntor në Korenë e Jugut, si pjesë e turit të tij të parë në Azi.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut janë përshkallëzuar në muajt e fundit, pas një sërë testesh me raketa të zhvilluara nga Peniani dhe pas ofendimeve të shkëmbyera mes presidentit Donald Trump dhe liderit koreano-verior Kim Jong-un.