SHBA, një ciklon godet brigjet lindore, pesë të vdekur si pasojë e motit të keq

109
Të paktën pesë persona kanë vdekur për shkak të ciklonit që ka goditur orët e fundit brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një zonë me 80 milion banorë.
‘Nor’easter’ ka sjellë erëra me forcën e uraganeve dhe shira të rrëmbyeshëm, duke përmbytur rrugët dhe duke sjellë anulimin e fluturimeve dhe të transportit hekurudhor.
Më shumë se një milion njerëz kanë mbetur pa energji elektrike, nga Maine dhe Karolina e Veriut. Si pasojë e stuhisë shumë automjete janë përmbytur në brigjet e Massachusetts dhe deri tani numërohen pesë viktima.
Bëhet fjalë për një grua 77 vjeçare e cila u godit nga një pemë përpara shtëpisë së saj në Baltimora, një burrë dhe një fëmijë 6 vjeçar në Virginia, një djalë 11 vjeç në shtetin e New York dhe një burrë ka humbur jetën në Newport, në Rhode Island.
Shkollat dhe zyrat janë mbyllur. Pasagjerët e një fluturimi janë ulur ne aeroportin e Dulles, pranë Washingtonit, dhe kanë treguar për frikën e madhe në bordin e avionit. Në brigjet lindore erërat kanë arritur shpejtësinë 80km/orë ndërsa në Cape Cod shpejtësia e erës e ka kaluar 120km/orë. Në Ohio dhe në shtetin e New York-ut ka rënë 50 centimetër dëborë.
Shirat kanë sjellë përmbytje të mëdha në Qincy, në Massachusetts, ku policia i ka ardhur në ndihmë shumë njerëzve të bllokuar në makinat e tyre. Në Scituate më shumë se 1800 persona kanë lënë shtëpitë e tyre. Në ndihmë u ka ardhur mbrojtja civile që ka angazhuar rreth 200 persona vetëm në këtë zonë. Rreth 2800 fluturime janë anuluar.