SHBA kritikon qeverinë ruse: Marrëdhëniet mes vendeve tona do dëmtohen qartazi nëse …

569
Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka kritikuar Rusinë se nuk ka arritur të ndalojë aleatin e saj Sirinë, që të mos përdorë armët kimike, edhe pse Moska kishte rënë dakord që të sigurohej se arsenali kimik i Damaskut ishte shkatërruar.
Gjatë një interviste në rrjetin televiziv amerikan “ABC”, Tillerson tha se, do t’i bëjë thirrje qeverisë së Rusisë që të plotësojë detyrimet e saj ndaj komunitetit ndërkombëtar, pasi ka rënë dakord që të jetë garantuese e eliminimit të armatimit kimik të Sirisë.

“Nëse Siria kryen më tepër sulme kimike”, tha sekretari Tillerson, “atëherë kjo do t’i dëmtojë qartazi raportet Shtetet e Bashkuara – Rusi”.

Shqetësimi i armëve kimike siriane do të jetë temë diskutimi edhe në Samitin e G7-ës që do të mbahet të martën në Itali.

Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar me 59 raketa speciale një bazë ushtarake në Siri, më 7 prill, në përgjigje të asaj që Uashingtoni thotë se ishte sulm vdekjeprurës me armatim kimik kundër civilëve, nga qeveria e presidentit Bashar al-Assad.

Siria ka mohuar të ketë kryer një veprim të tillë, ndërsa sipas Rusisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhënë asnjë fakt përse Damasku posedon armë të tilla.
Sigal