SHBA-Kore e Jugut “kërcënojnë” Penianin

561
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut po zhvillojnë stërvitjen e përvitshme të përbashkët, që në vijimësi zemëron Penianin, pavarësisht apeleve për ndalimin e saj.

Javën e kaluar u duk se Koreja e Veriut u zmbraps nga kërcënimi për të hedhur raketa mbi ishullin amerikan në Paqësor, Guam, por tha se do të vëzhgonte me vëmendje veprimet e Shteteve të Bashkuara.

Peniani i ka dënuar këto stërvitje, duke thënë se janë si “benzina në zjarr”. Uashingtoni i cilëson stërvitjet të një natyre mbrojtëse, por Koreja e Veriut i sheh ato si përgatitje për pushtim.

Kina dhe Rusia kishin propozuar në korrik ndalimin e stërvitjeve ushtarake, në këmbim të një ngrirjeje të testeve të raketave të Veriut. Por Jozef Dunford, shef i Shtabit madhor të Shteteve të Bashkuara, tha javën e shkuar se stërvitjet nuk ishin në tryezën e negociatave, të asnjë niveli, dhe se ato do të vazhdojnë sipas planit.

Rreth 17.500 trupa amerikane dhe 50 mijë koreano-jugore janë përfshirë në stërvitjen që do të zgjasë për 10 ditë. Pas kërcënimeve të Koresë së Veriut mbi Guamin dhe një lufte thuajse të paprecedentë deklaratash mbi testet e përsëritura të raketave të Penianit, analistët kanë paralajmëruar se këto stërvitje mund të shihen si provokative, në një kohë veçanërisht delikate.

SHBA dhe Koreja e Jugut zhvillojnë dy stërvitje të mëdha çdo vit, në të cilat përfshihen shumë trupa dhe pajisje ushtarake. Ato përfshijnë stërvitje në tokë, det, ajër, por edhe simulime kompjuteri.
Sigal