SHBA, Kongresi i ri bën betimin

62

Kongresi i 115 i SHBA bëri të
martën betimin në Uashington. Republikani Paul Ryan u zgjodh pa vështirësi
kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Në Senat, republikanët kanë paraqitur një
projektligj që do t’i paraprijë përpjekjes së tyre për të shfuqizuar reformën e
kujdesit shëndetësor të Presidentit Obama.

Ndërkaq, kryetari republikan i
Komisionit të Senatit për Politikën e Jashtme tha se seancat e konfirmimit për
kandidaturën e zotit Rex Tillerson si Sekretar i Shtetit do të fillojnë javën
tjetër dhe pritet të zgjasin dy ditë. Komisioni do të marrë shumë shpejt një
deklaratë të hollësishme financiare nga zoti Tillerson, i cili ka punuar për
firmën Exxon Mobil prej 43 vjetësh.

Presidenti i zgjedhur Donald
Trump do ta fillojë mandatin e tij me një Kongres të kontrolluar nga
republikanët. Por megjithë zotimet ambicioze që bëri gjatë fushatës për reforma
në kujdesin shëndetësor, në politikat fiskale si dhe për shkurtime buxhetore,
asgjë nuk është e garantuar për presidentin e ardhshëm:

Në fillim të dhjetorit u pa një
moment uniteti pas takimit të Kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan dhe
presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Jemi shumë entuziastë për mundësinë që kemi t’i
futemi menjëherë punës për ta vënë vendin në rrugën e duhur,”
 tha zoti Ryan.

Për presidentin e ardhshëm
suksesi do të matet nga disa reforma të rëndësishme:

“Donald Trumpi do të përpiqet të sigurojë ulje masive
taksash, ndërkohë që ka premtuar shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen, dhe ka
propozuar projekte në infrastrukturë me shpresën se do të mund të deklarojë
fitore në këto përpjekje për reforma brenda 100 ditëve të para,” –
 thotë analisti Norm Ornstein.

Për amerikanët, të cilët me votën
e tyre sollën këtë qeverisje republikane në Uashington, suksesi matet me
reforma në politikat e imigracionit, me ekonominë dhe shkurtime në programet
qeveritare. Edhe pa ardhur zoti Trump në Shtëpinë e Bardhë, Kongresi është
mobilizuar për të anuluar ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor.

Por republikanët kanë vetëm një
shumicë të ngushtë në Senat dhe do të duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të
mos anulojnë elementë të ligjit që gëzojnë popullaritet, në mënyrë që të mos
humbin kapital të nevojshëm politik.

“Do të ketë një numër të mjaftueshëm demokratësh në Senat
që mund ta pengojnë procesin, por çfarë do të nxjerrin në atë mënyrë?”
 pyet udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch
McConnell.

Kandidaturat e zotit Trump për
poste kabineti kërkojnë konfirmim në Senat. Pritet që të dyja partitë të ngrenë
pyetje të forta për këta kandidatë, shumë prej të cilëve nuk kanë eksperiencë
në qeveri.

Në Dhomën e Përfaqësuesve,
demokratët do t’u bëjnë rezistencë planeve të kryetarit Paul Ryan, për të
reduktuar programet qeveritare të asistencës.

“Demokratët në Kongres dhe miliona amerikanë në të gjithë
vendin do ta bëjnë shumë të qartë se nuk duan shkurtime në programin e kujdesit
shëndetësor për të moshuarit”, thotë Nancy Pelosi, Udhëheqëse e demokratëve në
Dhomën e Përfaqësuesve.

Shkurtimet do të binin ndesh me
premtimet e zotit Trump për të mos i prekur këto programe. Ndërsa për tregtinë
ai mund të ndeshë kundërshtime të forta nga vetë republikanët:

“E dimë që shumë nga ato që premtoi Trumpi nuk janë gjëra
që i duan republikanët. Lind pyetja, sa do ta përdorë Trumpi autoritetin e tij
për urdhra ekzekutivë, i acaruar që Kongresi nuk po bën ato që i kërkon ai,”
 thotë analisti Norm Ornstein.

Përgjigja
që do të marrë kjo pyetje mund të diktojë nëse uniteti mes republikanëve do të
vazhdojë, edhe pas 100 ditëve të para të presidencës Trump.