SHBA hetime – ‘Wikileaks’, CIA dhe FBI nisin zbardhjen e ‘rrjedhjes’ së informacionit

497
Autoritetet amerikanë kanë nisur një hetim masiv për të zbuluar se si Wikileaks arriti që të përvetësonte e më pas publikonte mijëra dosje me të dhëna të klasifikuara nga CIA. Në këtë proçes do të ketë një bashkëpunim nga vetë Agjensia Qëndrore e Inteligjencës, FBI-ja por edhe nga agjensi të tjera investigimi. Zëdhësit e Shtëpisë së Bardhë kanë deklaruar se Presidenti Trump është i vendosur që të sjellë përpara drejtësisë përgjegjësit, por nuk kanë pranuar që të konfirmojnë ose të hedhin poshtë autenticitetin e materialeve të publikuara.

Shtetet e Bashkuara kanë nisur punën për të zbardhur mënyrën se si janë marrë e më pas publikuar mijëra dosje me të dhëna të CIA-s nga sajti Wikileaks.

Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare teksa bëhet e ditur se për të zbuluar përgjegjësit do të ketë një koordinim të punës nga vetë Agjensia Qëndrore e Inteligjencës, FBI-ja si dhe agjensi të tjera federale investigimi.

Për çështjen është prononcuar edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, i cili deklaroi se administrata Trump është e vendosur që të sjellë autorët e kësaj vepre të dënueshme përpara ligjit.

“Mendoj se Presidenti e ka bërë të qartë edhe kur ka folur më herët se çdokush që do të lejojë vjedhjen e informacioneve të klasifikuara do të gjykohet nga shkallët më të larta të drejtësisë. Ne do t’i ndjekim penalisht këta individë dhe do t’i dërgojmë përpara gjykatave. Kësaj i thonë të luash me sigurinë tonë kombëtare dhe nuk është dicka që do të kalohet lehtë nga administrata jonë” u shpreh Spicer.

Në informacionet e klasifikuara të publikuara nga Wikileaks, kishte një sërë informacionesh ku nënvizohej ndër të tjera se CIA ka arritur që të krijojë programe mjaft të avancuara dekodimi që i japin mundësi të përgjojë çdo lloj paisje teknologjike, duke filluar nga Smartphonët e kompanive më të njohura, e deri tek televizorët smart, të cilët mund të përdoreshin edhe si përgjues.

Zyrtarëve amerikanë i është kërkuar ndër të tjera që të konfirmojnë ose të hedhin poshtë autenticitetin e të dhënave të publikuara, por as Shtëpia e Bardhë, as CIA dhe as FBI nuk e kanë bërë diçka të tillë.

Sipas autoriteteve, të gjitha publikimet e Wikileaks kanë për qëllim që të dëmtojnë imazhin e punës që bëjnë Shtetet e Bashkuara në kuadër të sigurisë kombëtare dhe luftës kundër terrorizmit.
Sigal