SHBA: Gjykata e Lartë mban në fuqi urdhrin për refugjatët

568
Gjykata e Lartë amerikane lëshoi një urdhër të përkohshëm që lejon administratën Trump të mbajë në fuqi politikën kufizuese ndaj refugjatëve. Urdhri pengon hyrjen në fuqi, tani për tani, të një vendimi të një gjykate më të ulët që do të lejonte hyrjen e refugjatëve në vend, duke nisur nga sot.
Gjykata e Lartë, e lëshoi dje urdhrin e përkohshëm dhe kërkoi nga pala që kundërshton ndalimin e refugjatëve, të paraqesë një përgjigje deri në mesditë.
Javën e kaluar Gjykata e Rrethit të 9-të të Apelit vendosi që refugjatët do të lejoheshin të hynin në Shtetet e Bashkuara nëse një agjenci amerikane përgjegjëse për zhvendosjen, do të pranonte rastin e tyre. Nga kjo masë pritej të përfitonin rreth 24 mijë refugjatë.
Por Departamenti amerikan i Drejtësisë e sfidoi vendimin me një ankimim në Gjykatën e Lartë të hënën, duke thënë se do të “prishte status quo-në dhe do të pengonte zbatimin e përpiktë të dispozitave lidhur me urdhrat ndaj refugjatëve”.
Ankimimi shënon zhvillimin më të fundit në luftën e vazhdueshme ligjore ndaj urdhërit ekzekutiv gjithëpërfshirës të 6 marsit të Presidentit Donald Trump. Urdhri ndalonte hyrjen në Amerikë të udhëtarëve nga Irani, Siria, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni për 90 ditë, një hap që zoti Trump e konsideronte të nevojshëm për të parandaluar sulmet terroriste. I njëjti urdhër përfshinte një ndalim 120 ditor për refugjatët.
Sigal