SHBA/ Gara po afron, Clinton-Trump vazhdojnë me sulme personale

463
Sigal

Ndërsa sondazhet sugjerojnë një garë gjithnjë e më të ngushtë, 2 kandidatët për Presidencën në SHBA vazhdojnë sulmet personale ndaj njëri-tjetrit. Demokratja Hillary Clinton, e cila gjatë ditëve të fundit ka përjetuar rënie në sondazhe, shënjestroi sërish temperamentin e rivalit republikan dhe sjelljen e tij me gratë.

“Nëse Donald Trump do të fitojë këto zgjedhje, ne do të kemi një komandant të forcave të armatosura pa përvojë dhe idetë e të cilit janë tmerrësisht të rrezikshme”, tha Clinton.

Nga ana e tij, Manjati i pasurive të paluajtshme ju referua çështjes së email-eve kur tha se Clinton-in do ta përndiqnin hetimet kriminale në Shtëpinë e Bardhë. 

“Gjithmonë kështu ndodh me Clinton-ët. Kanë probleme me drejtësinë. Nuk është kjo që i duhet vendit tone. Kemi nevojë për dikë që është i gatshëm të shkojë në punë”, tha Trump.

Fushata e së enjtes përfshiu edhe një shfaqje të rrallë publike të bashkëshortes së Trump-it Melania. Në fjalimin e parë që prej konventës së republikanëve, në muajin korrik, ish-modelja sllovene foli për të qenit emigrante dhe një nënë, ndërsa theksoi se bashkëshorti i saj do ta bënte më të mirë Amerikën.

Sondazhet e fundit sugjerojnë se Donald Trump ka fituar terren në disa shtete, e se në rang kombëtar ata janë kokë më kokë.  Sondazhi i “Reuters” dhe Ipsos vlerëson se shanset që Clinton të fitojë 270 votat e nevojshme të kolegjit zgjedhor të martën kanë rënë nga 95 në 90 përqind.