SHBA, dy zyrtarë të lartë të zbulimit dëshmojnë para Senatit

507
Në SHBA, një ditë para dëshmisë së parë publike që ish-shefi i FBI-së James Comey para një komisioni të Senatit rreth shkarkimit të tij dramatik nga Presidenti Donald Trump, ligjvënësit morën në pyetje zyrtarët më të lartë të ekipit të sigurisë kombëtare të vendit.
Por Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats dhe Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare Michael Rogers nuk pranuan t’u përgjigjen publikisht pyetjeve për këtë çështje; ata gjithashtu nuk dhanë hollësi lidhur me takimet e tyre në Shtëpinë e Bardhë me zotin Trump.
“Nuk kam ndjerë asnjëherë presion për të ndërhyrë, me synimin për të manipuluar të dhënat e zbulimit për t’u dhënë atyre nuanca të caktuara politike”, tha zoti Coats. “…Ose në lidhje me një hetim që është duke vazhduar”, – shtoi ai.
Gazeta “Washington Post” shkruante sot se në mars, më pak se një javë pasi Senati e konfirmoi zotin Coats në postin e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, për të mbikqyrur 17 agjenci amerikane të zbulimit, Presidenti Trump i kishte kërkuar atij të ndërhynte tek drejtori i atëhershëm i FBI-së James Comey për të zbrapsur një hetim ndaj Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare Michael Flynn, të cilin Trump e shkarkoi vetëm 24 orë pasi e emëroi në atë post, ngaqë kishte gënjyer nënpresidentin Mike Pence lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington.
Por zoti Coats tha se ishte e papërshtatshme që ai të diskutonte në pulbik për bisedime e tij në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Trump.
Edhe Michael Rogers mbajti të njëjtin qëndrim, duke mos pranuar të bënte publike bisedat e tij me Presidentin; ai gjithashtu mohoi se ndaj tij ishte ushtruar presion nga ana e Presidentit, për të minimizuar lidhjet e zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me zyrtarët rusë.
Seanca zhvillohet ndërkohë që Shtëpia e Bardhë përpiqet të zbusë efektet që ka sjellë shkarkimi i ish-shefit të FBI-së, Comey, gjë që çoi në emërimin e një prokurori të posaçëm, për të marrë përsipër hetimet rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje.
Të enjten, zoti Comey, të cilin Presidenti e pushoi nga puna, ndërsa ai ishte duke drejtuar hetimin e FBI-së për Rusinë, do të dëshmojë para të njëjtit Komision të Senatit. Sipas njoftimit të mediave, ndihmës të paidentifikuar të zotit Comey thonë se Presidenti i kishte kërkuar ish drejtorit të FBI-së besnikëri ndaj tij dhe më pas, ditën pasi Trump shkarkoi zotin Flynn, që të zbrapste hetimin e FBI-së për lidhje të mundshme mes tij dhe rusëve.
Sigal