SHBA, Donald Trump parashtron planin për 100 ditët e para

444
Sigal

Kandidati republikan
për president Donald Trump propozoi një shkurtim prej 35 përqind të taksave për
klasën e mesme amerikane ndërsa parashtroi planin e tij për 100 ditët e para në
Shtëpinë e Bardhë nëse fiton zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit.

Zoti Trump propozoi
gjithashtu të vendos kufizime të mandateve për anëtarët e kongresit, ndalimin e
përkohshëm të punësimeve në qeverinë federale dhe pakësimin e regullave
federale.

“Ne do të thajmë
moçalin në Uashington dhe ta zëvendësojë atë me një qeveri të re nga populli
dhe për popullin,” tha zoti Trump në qytetin historik të Gettysburgut në
Pensilvani.

Fjalimi, shihet si një
përpjekje për ta çuar vëmendjen përsëri tek përparësitë e zotit Trump dhe larg
polemikave që e kanë ndjekur atë javët e fundit.

Zoti Trump krijoi
trazira kur tha në debatin e fundit presidencial të mërkurën se nuk do të
pranojë rezultatet e zgjedhjeve. Ai më vonë u tërhoq, duke rënë dakord për të
pranuar rezultatet dhe duke rezervuar të drejtën për të sfiduar ligjërisht një
rezultat të “diskutueshëm”.

Trump gjithashtu
tërhoqi zemërimin e disa votuesve dhe politikanëve republikanë dhe demokratë
këtë muaj për shkak të komenteve të shthurura që ai bëri në lidhje me gratë dhe
akuzave nga më shumë se 12 gra se ishin viktima të sulmeve seksuale nga zoti
Trump.

Trump mbajti fjalimin
e tij në Getisburg të Pensilvanisë, vendi i betejës më vdekjeprurëse të Luftës
Civile Amerikane dhe të fjalimit të famshëm të presidentit republikan Abraham
Linkolnit në vitin 1863.

Me zgjedhjet
presidenciale më pak se tre javë larg, kandidatët po i afrohen sezonit të
fundit të një fushate të hidhur.

Kandidatja demokrate
Hillary Clinton mban dy fjalime sot në Pensilvani; një në Pitsburg dhe një
tjetër në Filadelfia.

Trump mbajti fjalimin
sot ndërsa anketat tregojnë se ai është pas rivales demokrate Hillary Clinton
në nivel kombëtar dhe në shtetet kyçe.

Sipas organizatës
RealClear Politics zonja Clinton kryeson ndaj zotit Trump me më shumë se 6
përqind mes votuesve në nivel kombëtar./voa