SHBA dhe Koreja e Jugut, stërvitje të përbashkëta ushtarake

403
Sigal

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Jugore kanë nisur më 5 nëntor stërvitje ushtarake të shkallës së vogël, disa ditë para vizitës së planifikuar të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo me zyrtarë verikoreanë në Nju Jork.

Programi i marinës koreane për shkëmbim ka qenë pjesë e stërvitjeve të pezulluara në muajin qershor, pasi presidenti amerikan, Donald Trump pati premtuar ndalimin e stërvitjeve ushtarake, pas mbajtjes së samitit me liderin verikorean, Kim Jong Un në Singapor.

Stërvitjet e mëdha vazhdojnë të jenë të pezulluara, mirëpo Uashingtoni dhe Seuli kanë vazhduar të realizojnë stërvitje të përbashkëta të shkallës më të vogël.

Në stërvitjet e tanishme janë duke marrë pjesë 500 marinsa amerikanë dhe jugkoreanë, afër qytetit Pohang.

Ministri jugkorean i Mbrojtjes ka thënë se Seuli dhe Uashingtoni do të vendosin para përfundimit të vitit, nëse do të realizojnë stërvitje masive ushtarake vitin e ardhshëm.

Ndërkohë Pompeo ka thënë për televizionin CBS se në ditët e ardhshme do të takohet me homologun e tij verikorean, Kim Yong Chol, për të diskutuar kërkesat amerikane ashtu që Phenjani të denuklearizohet dhe për plane tjera, duke përfshirë mbajtjen e një samiti të dytë mes liderëve të të dyja shteteve.

“Shpresoj se do të arrijmë përparim, duke përfshirë përpjekjet për t’u siguruar se do të ndodhë një samit i dytë në mes të dy liderëve, ku mund të shtyjmë përpara çështjen e denuklearizimit”, ka shtuar ai, shkruan rel.

Trump dhe Kim patën bërë zotime të mëdha në aspektin e denuklearizimit të Gadishullit Korean, mirëpo nga mbajtja e samitit është arritur pak përparim.