Sërish eksod masiv nga Siria

674
Nuk ka të ndalur eksodi masiv në Siri. Njerëzit po largohen për t’i shpëtuar terrorit të dy fronteve të luftës, të hapura nga ndërhyrja ushtarake turke në Afrin dhe sulmi i ushtrisë qeveritare të Presidentit Asad në Gutën Lindore kundër rebelëve.
Në pak ditë kanë marrë arratinë 50 mijë njerëz të cilët kanë braktisur shtëpitë e tyre. Vetëm nga Afrini janë larguar 30 mijë banorë, ku trupat ushtarake turke mbajnë nën rrethim qytetin verior sirian të kontrolluar nga militantët kurdë.
20 mijë të tjerë kanë braktisur Gutën Lindore pranë Damaskut pasi forcat qeveritare po kryejnë një sulm masiv për të marrë kontrollin e qytetit nga grupet rebele.
Zhvendosjet masive vijojnë në konfliktin e stërzgjatur sirian, që ka mbushur 7 vite e që ka detyruar mbi 12 milionë njerëz të braktisin vendbanimet. Gjysma e tyre janë larguar nga vendi, ndërsa të tjerët jetojnë në zona më të sigurta brenda Sirisë.
Sigal