Serbia synon BE-në ndërsa furnizohet me armët ruse

429
Sigal

Kryeministri i Serbisë, Aleaksandër Vuçiç, tha në
Moskë se vendi i tij kërkon bashkëpunim më të ngushtë ushtarak me Moskën,
ndërsa vuri theksin tek neutraliteti i Beogradit, në një përpjekje për të vëne
drejtpeshim ndërmjet marrëdhënieve historike me Rusinë dhe synimeve për
anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pa u mbushur dhjetë ditë nga vizita e ministrit rus
të punëve të Jashtme Sergey Lavrov në Beograd, kryeministrit serb inspektoi
gjashtë avionë ushtarak MiG-29 në Moskë, të cilat do t’i marrë nga Rusia bashkë
me 30 tanke të tipit T-72 dhe 30 autoblinda që ishin pjesë e rezervave ruse, të
cilat i janë dhënë Serbisë në një veprim që shihet si forcim i ndikimit të
Moskës në Ballkan.

Pas një takimi me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey
Shoigu, kryeministri serb tha se Beogradi do të shpenzojë ndërmjet 180 dhe 230
milionë euro për të modernizuar avionët MIG-29, për të cilat do të duhej të
paguante mbi 600 milionë euro në treg. Vuçiç po ashtu ka hapur negociatat me
Rusinë për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Ministri rus propozoi një ushtrim ushtarak trepalësh
ndërmjet Rusisë, Serbisë e Bjellorusisë “për të thelluar vëllazërinë
sllave”, thuhet në një deklaratë të qeverisë serbe.

Forcat ushtarake serbe janë të mbështetura pothuajse
80 për qind në teknologji sovjetike, një trashëgimi nga Armata Popullore Jugosllave
dhe planifikojnë të blejnë pajisje nga të dyja palët, Rusia dhe Bashkimi
Evropian për të përmirësuar forcat e saj ajrore të varfëruara nga luftërat
ballkanike të viteve 1990.

“Vuçiç ka nënvizuar qëndrimin e paanshëm të
Serbisë dhe ka shfaqur shpresën se bashkëpunimi politik, ekonomik e ushtarak
ndërmjet të dyja vendeve do të përmirësohet”, thuhet në komunikatën e
qeverisë serbe.

Marrëveshja me Serbinë u bë në një kohë kur Rusia ka
shtuar përpjekjet për të penguar afrimin e mëtejshëm të Ballkanit me perëndimin
dhe në një periudhë të shtimit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.

Serbia një aleate tradicionale e Rusisë synon të
anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë
dhe perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër
Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Aleate e Beogradit, Moska nuk e njeh pavarësinë e
Kosovës, ndërsa kundërshton fuqishëm anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në NATO
dhe është thellësisht e pakënaqur që Mali i Zi tashmë ka marrë ftesën për
anëtarësim në aleancë.

“Pa Rusinë është e pamundur të mbrojmë tërësinë tonë
tokësore dhe sovranitetin, Kur flasim për marrëdhëniet me Rusinë, flasim edhe
për të ardhmen tonë. Serbia kurrë nuk do të jetë shtet anti-rus siç janë bërë
disa vende. Ne nuk do t’u bashkohemi sanksioneve dhe masave kufizuese. Nuk kemi
qëllim të bëhemi anëtar i NATO-s”, tha ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç
gjatë vizitës së ministrit rus Lavrov në Beograd dhjetë ditë më parë.