Serbia njohu shtetin e Kosovës

567
Sigal

Dje në Bruksel arrihet marrëveshja, Kosovë-Serbi. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton bëri të ditur se negociatat kanë përfunduar dhe se tekstit i janë vënë firmat nga të dy kryeministrat, Daçiç e Thaçi. Në prani të baroneshës Ashton, i pari marrëveshjen e ka firmosur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Pas tij, të njëjtën gjë e ka bërë edhe Kryeministri serb Ivica Daçiç. Baronesha Catherine Ashton e ka cilësuar hap të rëndësishëm arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Unë dua të përgëzoj ata për vendosmërinë gjatë këtyre muajve dhe për guximin që shpalosën. Është shumë e rëndësishme, ajo qe po ndodh tani është një hap larg nga e kaluara dhe për të dy palët është një hap më afër Europës”, citohet të ketë thënë Ashton.  Eurokomisioneri Stefan Fule, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes ka deklaruar për të. “Është marrëveshje historike për të dy vendet!”.

Thaçi: Arritja e marrëveshjes, njohje e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar si historike.”Ne sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parë historike ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me garancitë e baroneshës Ashton. Kjo marrëveshje është nënshkruar inicialisht mes dy kryeministrave të dy shteteve me garancinë e baroneshës Ashton”.”Arritja e kësaj marrëveshjeje është njohje e Kosovës , e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial”.”Marrëveshja është bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona dhe popujve tanë, prandaj jam i kënaqur që gjendem sot këtu në Bruksel me baroneshën Ashton dhe Kryeministrin Daçiç, që kemi arritur këtë marrëveshje për të ardhmen e të dy vendeve tona, të ardhmen europiane”. “Jemi të vetëdijshëm se do të ketë njerëz edhe në Kosovë edhe në Serbi që nuk do të jenë të kënaqur me këtë zgjidhje, por kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë edhe për rajonin dhe për Bashkimin Evropian”.