Serbia kërkon shtyrjen e debatit për pranimin e Kosovës në UNESCO

454
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç sot në Paris ka apeluar tek anëtarët e Konferencës së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë e Kulturë (UNESCO) që ta shtyjnë debatin për pranimin e Kosovës, siç ka thënë ai, transmetojnë media të Beogradit, për t’i dhënë shans dialogut, sepse, sipas tij, dialogu është mënyra e vetme që të arrihet një zgjidhje e pranueshme dypalëshe.

Kështu,- ka thënë Daçiç në Konferencën e Përgjithshme,- do të evitoheshin ndarjet, politizimi dhe konfrontimi në UNESCO. “Kërkojmë shans e marrëveshje në vend të njëanshmërisë”, tha Daçiç. Serbia ka bërë fushatë aq sa ka mundur për të ndaluar pranimin e Kosovës në UNESCO. Vetë Daçiç më herë kishte thënë se pranimi i Kosovës në UNESCO është njësoj sikur në këtë organizatë të pranohej ISIS. Edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, kishtarë e shkencorë nga Serbia kanë nxjerrë shumë fjalë fyese për Kosovën dhe kërkesën saj për anëtarësim në UNESCO. Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s në Paris dje ka filluar punimet. Kosova në këtë Konferencë pritet të jetë në rend dite në fillim të javës së ardhshme.
Sigal