Serbë të dyshuar për vrasjen e 19 shqiptarëve punojnë në Policinë e Kosovës

483
Disa të dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e familjes Imeraj nga fshati Padalisht i Komunës së Istogut, thuhet se sot punojnë në Policinë e Kosovës.
Pas publikimit të listave të personave të dyshuar për pjesëmarrje në maskara të ndryshme në Kosovë, kanë ardhur reagime të shumta.
Në një raport të KMDLNJ-së me seli në Prishtinë, të lëshuar më 6 prill 2000 thuhet “Në Skënderaj janë identifikuar emrat e të gjithë kriminelëve që më 26/27 mars 1999 në Padalisht masakruan 19 anëtarë të familjes Imeraj (në mesin e të cilëve 11 femra dhe 5 fëmijë të moshës 2 – 16-vjeçare)”.
Me të parë këto informacione, disa banorë të fshatit Cërkolez të Komunës së Istogu, fshat fqinjë me Padalishtën ku kanë ndodhur masakrat, kanë shkruar në Facebook se në këto lista gjenden edhe disa bashkëfshatarë të tyre që dyshohet se morën pjesë në masakrën ndaj familjes Imeraj ku u vranë dhe u masakruan 19 qytetarë të Kosovës, që ishin civilë.
“Kjo listë e publikuar përmban emra të serbëve të fshatit Cërkolez të cilët masakruan 19 anëtarë të familjes Imeraj, disa nga këta serbë gjinden në fshatin Cërkolez dhe ushtrojnë aktivitete. Me rëndësi është rasti se Goran Vuqiç dhe Malisha Tijaniç kanë qenë deri vonë roje të Urës së Ibrit dhe paramendoni, momentalisht janë pranuar dhe ushtrojnë detyrën e policit në Policinë e Kosovës, e për më saktë janë të angazhuar si roje të kishës në qytetin e Istogut”, ka deklaruar njëri nga banorët e fshatit Cërkolez.
Në këtë masakër është shuar pothuajse një familje e tërë. Mësuesi Bekë Imeraj, pesë vajzat, djali i tij 2-vjeçar si dhe nëna e tij, janë vrarë dhe masakruar në mënyrën më mizore. Ndërsa ka shpëtuar djali i tij i madh dhe gruaja e tij, e cila ka dëshmuar kundër Sllobodan Millosheviçit në Hagë për ngjarjen e tmerrshme se si u masakruan për së gjalli familjarët e saj.
Në lidhje me këtë masakër makabre deri më sot nuk ka asnjë aktakuzë, e askush nuk është marrë në pyetje si i dyshuar për pjesëmarrje në të, gjë që ka revoltuar shumë familjarët e të vrarëve. 
Sigal