Senatori John McCain sot në Kosovë, publikohet axhenda e takimeve

494
Senatori amerikan, John McCain mbërrin sot në Prishtinë ku do të mbajë një fjalim në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërkohë që zhvillon edhe takime me autoritetet e larta të shtetit. E vetmja pikë e axhendës së seancës solemne është: Adresimi i Senatorit amerikan, John McCain, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës nis në orën 14:30.

Ndërsa, sipas axhendave të njoftuara zyrtarisht deri tani, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli pret në takim senatorin amerikan John McCain në orën 13:45, ndërsa kryeministri Isa Mustafa në orën 15:10. Sipas mediave, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të premten do t’i ndajë senatorit McCain Medaljen Urdhri i Lirisë, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për rolin e tij në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si aleati i përjetshëm i Kosovës.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka përshëndetur vizitën e John McCain Senatorit Amerikan njëherësh Drejtuesi i Komitetit në Senat për Forcat e Armatosura, duke e vlerësuar si një mik të madh të Kosovës. “Duke i dëshiruar mirëseardhje mikut të madh të Kosovës nesër në Prishtinë”, ka shkruar Delawie në Twiter.
Sigal