Senati voton mbi një projekt-ligj që do të shfuqizonte ligjin për kujdesin shëndetësor

574
Senati amerikan i kontrolluar nga republikanët pritet të votojë mbi një projekt-ligj që do të shfuqizonte ligjin për kujdesin shëndetësor të ish-Presidentit Barack Obama.
Të martën, Dhoma e Përfaqësuesve hodhi poshtë një projektligj që synonte ndryshimin e ligjit të deritanishëm, të njohur si Akti për Kujdesin e Përballueshëm Shëndetësor, i cili ka siguruar mbulimin e miliona amerikanëve.
Legjislacioni i ri do të shfuqizonte ligjin e Presidentit Obama por pa garantuar zëvendësimin e tij me një tjetër.
Disa republikanë janë të shqetësuar se shfuqizimi i ligjit të deritanishëm pa e zëvendësuar atë do të bënte që shumë amerikanë të humbisnin sigurimet shëndetësore, prandaj kjo qasje duket se nuk ka mbështetje të mjaftueshme në Senat.
Senati shpreson të zhvillojë këtë javë një votim përfundimtar mbi një projekt-ligj për kujdesin shëndetësor. Udhëheqësit republikanë të Senatit po shqyrtojnë gjithashtu një të ashtuquajtur “variant të zbutur” që do të shfuqizonte disa dispozita kryesore të ligjit aktual siç janë ndëshkimet financiare për njerëzit që refuzojnë të blejnë sigurim shëndetësor apo për bizneset që nuk ofrojnë sigurime për punëtorët.
Edhe nëse ligjvënësit miratojnë një projektligj, problemet e kujdesit shëndetësor të vendit nuk do të zgjidhen në të ardhmen e afërt, tha të mërkurën në CNN drejtori i ri i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë Anthony Scaramucci.
“Nëse presim një zgjidhje të menjëhershme ose një ilaç çudibërës, këtë nuk e ofron askush këtu në Uashington,” tha zoti Scaramucci.
Të martën, ligjvënësit hodhën poshtë një variant të hartuar nga udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell. Varianti në fjalë parashikonte dhënien fund të masave për zgjerimin e programit Medicaid, që siguron sigurimin shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulta.
Sigal