Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Zannier, garanton se do t’i vëzhgojnë zgjedhjet në Shqipëri

53
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, ka garantuar se do t’i vëzhgojnë zgjedhjet parlamentare në Shqipëri në një takim me ministren e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli, më 7 prill 2017, gjatë vizitës së saj dypalëshe në Austri.

Ata shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet aktuale në Shqipëri dhe më gjerë në rajon, si dhe diskutuan për bashkëpunimin e Shqipërisë me OSBE-në.

Zannier ripohoi mbështetjen e fortë të OSBE-së për reformat e nisura në Shqipëri dhe gatishmërinë e Organizatës për të vijuar të ndihmojë procesin zgjedhor në vend, ndër të tjera edhe përmes vëzhgimit të zgjedhjeve të ardhshme kuvendore.

Sekretari i Përgjithshëm solli ndër mend kontributin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për shkatërrimin në mënyrë të sigurt të municioneve konvencionale të tepërta dhe lëndëve kimike të rrezikshme në vend dhe shkëmbeu pikëpamje me ministren për sfidat transnacionale, përfshirë sigurinë kibernetike, dhe për mënyrat se si mund të ndihmojë OSBE-ja në trajtimin e tyre.

Ministrja Kodheli e falënderoi Organizatën për mbështetjen e saj të vijueshme për vendin.