Samiti i G7, unitet për luftën anti-terror, Rusinë dhe Korenë e Veriut

507
Samiti dy-ditor i G7-ës, i cili nisi ditën e sotme, pritet të jetë një prej më sfiduesve të zhvilluar ndonjëherë, ndikuar kjo nga qëndrimet e ndryshme që kanë liderët për çështje me rëndësi, si klima dhe shkëmbimet tregtare. Presidenti Trump ka qenë një kritik i para-ardhësit të tij, Barak Obama për politikat mjedisore, ndërsa i cilëson shkëmbimet tregtare aktuale, si jo-favorizuese për Shtetet e Bashkuara. Sipas ekspertëve, Merkel dhe Macron, do të përpiqen që në këtë takim të zbusin qëndrimet e liderit të Uashingtonit.

Liderët e shtatë vendeve me ekonomitë më të zhvilluara të botës nisën diskutimet në kuadër të samitit dy ditor të G7-ës, i cili po zhvillohet në Itali, teksa në mbledhjen e kësaj rradhe bien në sy qëndrimet e kundërta të Presidentit Donald Trump me përfaqësuesit e shteteve të tjera.

Dy nga çështjet më të debatuara kanë qënë padyshim klima dhe shkëmbimet tregtare.

Lideri i Shteteve të Bashkuara ka ndryshuar tërësisht linjën e para-ardhësit të tij Barak Obama, kur flutet për çështjet mjedisore.

Ai ka premtuar gjithashtu se do të zhbëjë Marrëveshjen e Klimës, e cila u arrit në Paris.

Sa i përket ekonomisë, Presidenti amerikan ka kritikuar shkëmbimet tregtare të cilat sipas tij, nuk janë aspak favorizuese për ekonominë e Shteteve të Bashkuara.

Në veçanti, Trump është ndalur tek tregu i automjeteve, duke thënë se numri i makinave gjermane që shiten në ShBA është shumë herë më i lartë me të anasjelltën.

Çështjet për të cilat palët pritet të dalin me një linjë të përbashkët janë lufta kundër terrorizmit, mbajtja e një qëndrimi më të ashpër ndaj Koresë së Veriut si dhe shfaqja e unitetit përpara Rusisë.

Sipas ekspertëve, në këtë mbledhje liderët do të përpiqen të bindin Trump për të zbutur disi qëndrimet e tij kontroverse.

Megjithatë, pavarësisht këtyre përpjekjeve, shanset që Presidenti amerikan të lëshojë pe, duket se janë mjaft të pakta.

Më herët, edhe Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, e cilësoi takimin si një nga më sfiduesit ndër vite.

Ai e pranoi se nuk është një sekret që liderët e G7-ës kanë qëndrime ndryshme për cështje të caktuara, por shtoi se BE do të bënte përpjekje maksimale për të ruajtur unitetin në të gjitha frontet.
Sigal