Samiti historik Trump-Kim Jong Un, çfarë parashikon marrëveshja me 3 pika

498
Sigal

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong un, kanë zhvilluar takimin historik në Singapor. Disa muaj më parë, dy liderët replikonin në distancë në lidhje me madhësinë e butonit të armëve bërthamore që kishin në tryezën e punës. Por muajt e fundit, tonet u zbutën duke i lënë vendin një marrëveshjeje që konsiderohet si historike mes Shtëpisë së Bardhë dhe vendit të izoluar.

Të dy palët dolën të kënaqur nga takimi, i cili sipas presidentit Trump do t’i hapë rrugë një ndryshimi të madh. Po çfarë parashikon marrëveshja e firmosur nga Trump dhe Kim Jong un? Ky është teksti i plotë i dokumentit të firmosur nga dy palët.

Presidenti Trump dhe kryetari Kim Jong Un shkëmbyen opinione të sinqerta në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me vendosjen e marrëdhënieve të reja mes SHBA- RPDK dhe ndërtimin e një regjimi paqeje të qëndrueshme në gadishullin korean. Presidenti Trump angazhohet për të ofruar garanci të sigurisë ndaj DPRK, ndërsa dhe kryetari Kim Jong Un riafirmoi angazhimin e tij të palëkundur për të përfunduar denuklearizimin e gadishullit korean.

Të bindur se vendosja e marrëdhënieve të reja SHBA- RPDK do të kontribuojë për paqen dhe prosperitetin e Gadishullit Korean dhe të botës, dhe duke pranuar se ndërtimi i besimit të ndërsjellë mund të nxisë denuklearizimin e Gadishullit Korean, Presidenti Trump dhe kryetari Kim Jong Un deklaruan:

1. Shtetet e Bashkuara dhe RPDK -ja angazhohen të krijojnë marrëdhënie të reja SHBA- RPDK në përputhje me dëshirën e popujve të të dy vendeve për paqe dhe prosperitet.

2. Shtetet e Bashkuara dhe RPDK do t’i bashkohen përpjekjeve të tyre për të ndërtuar një regjim të paqeje në gadishullin korean.

3. Duke riafirmuar Deklaratën e firmosur në Panmunjom më 27 prill 2018, RPDK -ja angazhohet të punojë për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean.