Rusisë i rikthehet e drejta e votës në Këshillin e Evropës, Ukraina largohet nga mbledhja në shenjë proteste

124

Delegacioni i Ukrainës e ka lënë mbledhjen e asamblesë parlamentare të Këshillit Evropian në shenjë proteste për lejimin e deputetëve rusë në këtë institucion pesë vjet pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Kjo asamble votoi me 118 vota pro dhe 62 kundër kthimit të së drejtës për votë të anëtarëve rusë në njërën nga ndryshimet e para të ndëshkimeve që i ishin vënë Rusisë pas hyrjes së ushtrisë së saj në Ukrainë në vitin 2014.

Rusia më parë ka kërcënuar se do të largohet tërësisht nga Këshilli i Evropës, i cili e mbikëqyr Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nëse asaj nuk i kthehet e drejta e votës.

Avokatët për të drejtat e njeriut janë të shqetësuar se qytetarët e rëndomtë rusë mund ta humbin të drejtën e mbrojtjes nga kjo gjykatë evropiane nga shkeljet e policisë dhe sistemit të drejtësisë në Rusi. Kjo gjykatë e ka ndëshkuar Rusinë me miliona euro çdo vit për shkak të këtyre shkeljeve.

Sidoqoftë, delegatët e Ukrainës thanë se lejimi i kthimit të Rusisë në këtë organ mund të vlerësohet si koncesion dhe e tregon dobësinë e vendosmërisë së Evropës për ta mbajtur nën kontroll Rusinë. Për më tepër, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, tha se është i zhgënjyer nga ky vendim.

Këshilli i Evropës është një ndër organizatat më të vjetra për të drejtat e njeriut në kontinent. Ajo është themeluar në vitin 1949 me qëllim të mbrojtjes së demokracisë dhe sundimit të ligjit, shkruan “The Guardian”.