Rusia, presion të fuqishëm Kievit

524
Sigal

Rusët kanë rreth 20 mijë trupa të stacionuara përgjatë kufirit me Ukrainën Lindore

Rusia rriti numrin e trupave të saj në kufi me Ukrainën, veprim ky i cili ngriti shqetësime për qeverinë e Kievit. Sipas autoriteteve, mendohet se kjo mund të jetë një ndërhyrje e re nga ana e Putin, sepse veprimet zinxhir nga ana e Moskës i përngjajnë skenarit, që u bë për çështjen e Krimesë. Sipas një zyrtari të NATO-s, Rusia tani ka rreth 20,000 trupa të stacionuara “në një zonë përgjatë kufirit me Ukrainën Lindore”. Dyfishimi i trupave të dërguar vjen afërsisht një javë, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian rritën sanksionet ekonomike për Rusinë, sepse sipas tyre ajo mbështet rebelët pro-rusë për të vazhduar luftën me forcat qeveritare në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut. Përveç kësaj, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë është duke organizuar një javë stërvitjesh intensive ushtarake, që përfshijnë trupat ajrore dhe forcat e saj të Mbrojtjes, të specializuara për hedhjen e raketave. Ushtrimet janë duke u zhvilluar në rajonin jugor të Rusisë, rreth 500 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Ndërkohë, zyrtarët e Ukrainës thanë se ata po përgatiten për një “sulm masiv” në qytetin Donjeck. Sipas zhvillimeve të fundit, Ukraina po fiton sërish terren dhe ka arritur të rimarrë disa qytete, duke i zmbrapsur kështu forcat ruse. Moska duket se nuk e ka pritur mirë këtë lajm, ndaj dhe po vazhdon me tentativa të tjera për të rifituar kontrollin në bastionet e saj të dikurshme në Ukrainë, që sipas tyre do të krijojnë shtetin e ri “NovoRossiya”, ose quajtur ndryshe “Rusia e re”. Rusia ka shtuar praninë e saj, në rreth 20 mijë trupa ushtarakë të gatshëm për luftë, në kufirin me Ukrainën, e mund të përdorë si justifikim ‘misionin humanitar’ për të pushtuar Lindjen e vendit, ka bërë të ditur NATO gjatë së mërkurës, një paralajmërim i zymtë i aleancës, që së shpejti mund të çojë në ndërmarrjen e një sulmi tokësor të Moskës ndaj fqinjëve.

“Ne nuk marrim me mend se çfarë mund të bëjë Rusia në të ardhmen, por mund të shohim se çfarë ajo po bën aktualisht në terren, gjë që përbën një shqetësim shumë të madh. Rusia ka grumbulluar rreth 20 mijë trupa të gatshëm për luftë në kufirin lindor të Ukrainës”, tha zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, përmes një deklarate të dërguar me postë elektronike. Moska mund të përdorë “pretekstin e një misioni humanitar apo paqeruajtës, si një shfajësim për të futur trupat në Ukrainën Lindore”, tha ajo më tej. Ndërkohë, Kievi ka bërë të ditur se 18 ushtarakë ukrainas janë vrarë dhe 54 të tjerë janë plagosur në 25 përplasje të ndryshme gjatë së martës në Lindje të Ukrainës. Zëdhënësi i ushtrisë, Andriy Lysenko, tha se trupat e tyre janë bombarduar nga territori rus, ndërsa rojet kufitare janë gjendur nën një sulm 4-orësh me mortaja dhe artileri të rëndë.

Putin urdhëron sanksione ndaj Rumanisë

 Rusia ka zgjeruar ndalimin e importeve ushqimore, këtë herë me Rumaninë, duke përshkallëzuar përgjigjen e saj ndaj sanksioneve “therëse” të Perëndimit, për shkak të mbështetjes së Moskës ndaj separatistëve pro-rusë në Ukrainë. Presidenti Putin ka nënshkruar dekretin, që ndalon ose kufizon importet e produkteve të agrikulturës nga vendet, që kanë sanksionuar Rusinë, një dekret që ka fuqi 1-vjeçare, që prek edhe importet në Rusi të produkteve farmaceutike, materialeve të papërpunuara dhe artikujve ushqimorë, nga vendet që i janë bashkuar sanksioneve të Perëndimit, bën të ditur agjencia e lajmeve “Interfax”.