Rusia nuk pranon kërkesën e OKB-së për pauzë të luftimeve në Alepo

424
Sigal

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë hodhi poshtë kërkesën e
Kombeve të Bashkuara për të bërë pauza në luftimet në Siri, me qëllim
shpërndarjen e ndihmave në pjesën lindore të Alepos, e cila kontrollohet nga
rebelët.

Ministria tha se ka marrë kërkesën nga kreu i task-forcës
së OKB-së për ndihma humanitare në Siri, Jan Egeland.

Por, ministria ruse tha përmes një deklarate se kjo
“është kundërproduktive dhe se “terroristët” mund të përfitojnë.

Rusia, e cila kryen sulme ajrore në Siri, në mbështetje
të regjimit, ka bërë disa pauza të njënashme për t’iu mundësuar civilëve dhe
rebelëve që të ikin nga pjesa lindore e Alepos.

Megjithatë, vëzhguesit kanë thënë se shumë pak janë
larguar, pasi kanë shprehur skepticizëm në “korridoret e sigurta”.

Më herët, Egeland tha se racionet e fundit ushqimore në
dispozicion janë dorëzuar në Alepo.

Ai tha se, javën e ardhshme, nuk do të ketë ushqime për
të shpërndarë, nëse nuk do të ketë rifurnizime.