Rusia: Nuk ka ultimatum kurndrejt Ukrainës

456
Sigal

Kur kriza ukrainase ka arritur kulmin, presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar kthimin në bazat e përkohshme të forcave ruse të angazhuara në stërvitjet ushtarake të nisura më 26 shkurt, në rajonet perëndimore dhe qendrore të Federatës Ruse.  Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas të cilit direktivat janë dhënë nga presidenti, në cilësinë e komandantit suprem, pasi u informua mbi përfundimin pozitiv të manovrave ushtarake. Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry është nisur nga Uashingtoni për në Ukrainë, ku pritet të arrijë në Kiev më vonë gjatë ditës. Ndërkohë, nga ana e saj Moska kërcënon Perëndimin, e në veçanti Shtetet e Bashkuara, me anti-sanksione.  “Nëse SHBA do të vendosin sanksione ndaj Rusisë, atëherë Moska do të detyrohet të heqë dorë nga dollari për valuta të tjera dhe të krijojë sistemin e vetë të pagesave”, ka deklaruar këshilltari ekonomik i Kremlinit, Serghiei Glaziev, i cituar nga agjencia “Ria Novosti”. Ndërkohë, ish-kryeministrja ukrainase, Yulia Tymoshenko ka dhënë për gazetaren e CNN intervistën e parë që pas lirimit nga burgu, ndodhur më 22 shkurt. Më e vendosur se kurrë, Tymoshenko paralajmëron Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe. “Ukraina është një hap larg luftës dhe nëse do të lihet vetëm dhe do t’i dorëzohet Rusisë, atëherë nuk do të ndryshojnë vetëm politika dhe jeta në Ukrainë, por edhe politika dhe jeta në të gjithë botën”, ka thënë Tymoshenko.