Rusia ndërhyn në tensionet në rritje mes Kosovës e Serbisë pas arrestimit të Gjuriçit

586
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën një ditë pasi një politikan serb u arrestua në Kosovë dhe më pas u dëbua në Serbi. Tani në këtë mosmarrëveshje ka ndërhyrë edhe Rusia, kurse Bashkimi Evropian po provon të shmangë ndonjë kacafytje të mëtejshme.
Serbët e Kosovës vendosën bllokada në rrugë, në qytetin e ndarë të Mitrovicës, për të monitoruar qasjen në territorin e dominuar nga serbët, dhe politikanët serbë u tërhoqën nga qeveria e Kosovës dhe kërcënuan me formimin e administratave të tyre lokale përgjatë Kosovës ku jeton pakica serbe, raporton “The Washington Post”.
Shefja e Politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, bëri një udhëtim urgjent në Beograd për të biseduar me Presidentin e Serbisë në tentim për të parandaluar krizën e thellë. Zyra e presidentit Aleksandar Vuçiç në një deklaratë për media tha se Mogherini është pajtuar për të gjetur “mënyra të reja” për të zgjidhur problemet mes Kosovës dhe Serbisë paqësisht, shkruan “Koha.net”.
Mogherini nuk komentoi menjëherë, por në deklaratë theksohet se ajo ka thënë se “ajo çfarë ndodhi nuk duhet të përsëritet”.
“Bashkimi Evropian pret që paqja të ruhet me qetësi e përmbajtje”, ka thënë Mogherini sipas deklaratës.
Në ndërkohë, ministria e Jashtme ruse lëshoi një deklaratë me fjalë të ashpra, duke akuzuar BE-në dhe SHBA-në se po dëshirojnë “të shtypin ashpër” përpjekjet e serbëve të Kosovës për të “ruajtur interesat e tyre legjitime”.
“Është krejtësisht e qartë se kosovarët (shqiptarët e Kosovës) gjithmonë ndjekin këshillat e patronëve të tyre amerikanë e evropianë, të cilët shkelin ligjin ndërkombëtar dhe veprojnë në bazë të arbitraritetit”, ka thënë MPJ ruse në një deklaratë të përcjellë nga agjencia ruse e lajmeve “Tass”.
Përderisa Rusia mbështet pretendimet e Serbisë për ish-provincën e saj, SHBA dhe shumica e shteteve evropiane e kanë njohur pavarësinë e Kosovës një dekadë më parë. Rusia ka provuar të zgjerojë ndikimin e saj në Ballkan kryesisht përmes aleatit të saj tradicional sllav, Serbisë.
Këto zhvillime erdhën një ditë pasi Marko Gjuriç, shef i zyrës qeveritare serbe për Kosovën, u ndalua përkohësisht në qytetin e ndarë të Mitrovicës sepse hyri në vend pa lejen zyrtare të Kosovës. Policia e Kosovës të hënën përdori gaz lotsjellës dhe granata tronditëse për të shpërndarë protestuesit serbë në Mitrovicë.
Gjuriç tha se është rrahur gjatë kohës që ka qenë i ndaluar dhe se arrestimi i tij kishte për qëllim poshtërimin e serbëve në Kosovë si dhe, sipas tij, ishte një stërvitje për një përpjekje të mundshme nga Policia e Kosovës për të marrë veriun e Kosovës.
Sigal