Rriten tensionet mes Gjermanisë e Greqisë para vizitës së Tsipras

445
Kryeministri grek Aleksis Tsipras pritet të mbërrijë në Berlin për vizitën e parë zyrtare në kryeqytetin Gjerman.
Në vazhdën e mosmarrëveshjeve mes Athinës dhe kreditorëve të eurozonës, ky udhëtim është portretizuar në disa media si një përballje perëndimore.
Mbështetësit e Kancelares Gjermane Angela Merkel kanë shfaqur hapur skepticizmin mbi qeverinë e re Greke, ku shumica beson se Athina nuk po e merr seriozisht borxhin prej 240 miliard eurosh. 
Një takim gjatë ditës së djeshme mes dy ministrave të jashtëm të dy vendeve mund të ketë shtuar më tej tensionet, me Greqinë që kërkoi sërish dëmshpërblimet e pushtimit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Berlini nga ana tjetër thotë se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë historike të Gjermanisë, por ngurron t’i lidhë ato me politikën e Eurozonës. 
Tsipras Merkelit: “Na jepni ndihma ose s’përmbushim dot detyrimet” 
Nëse Eurozona nuk do t’i japë së shpejti ndihmë ekonomike Greqisë, për Athinën do të jetë e pamundur të përmbushë detyrimet e saj mbi borxhin, përfshirë dhe pensionet dhe pagat.
Kjo është ajo çka shkruan kryeministri Grek Aleksis Tsipras në një letër të dërguar kancelares Gjermane, të bërë publike nga Financial Times.
Letra mban datën e 15 marsit, para se kancelarja Merkel të ftonte Tsipras për një takim ballë për ballë, të planifikuar për sot në mbrëmje. 
Në letër, kryeministri grek shprehej se ndihej e detyruar të zgjidhte mes pagesës së kredisë ndaj kreditorëve evropianë dhe shpenzimeve për ndihmën sociale ndaj popullit të tij.
Sipas Tsipras Athina mund të gjendet me arkat bosh para fundit të prillit e për këtë fajëson me tepër BQE-në që e ka limituar Greqinë për emëtimin e letrave me vlerë me afat të shkurtër, sesa autoritetet e eurozonës për mos shtyrjen e ndihmës ekonomike dhe për katër muajt e ardhshëm.
Vendet përfaqësuese të Bashkimit Europian refuzojnë t’i japin para Greqisë deri në paraqitjene një pakete reformash ekonomike të pranueshme dhe të zbatueshme. 
Sigal