Rrëmbeu, përdhunoi e vrau vajza, vrasësi u dërgon letër familjes së viktimave

533
Sigal

Një vrasës i famëkeq i fëmijëve që rrëmbeu, përdhunoi dhe vrau vajza në Belgjikë në vitet 1990, ka zemëruar familjet e viktimave me një letër që u përgjigjet pyetjeve të tyre.

Marc Dutroux u burgos në vitin 1996 dhe ka kërkuar për vite të tëra lirimin nga burgu.

Tani avokati i tij i ka shkruar letra gjashtë familjeve në një përpjekje për të ndihmuar në shërimin e plagëve të tyre, në një mënyrë shumë modeste.

Disa familje kanë refuzuar letrat duke i konsideruar si një lëvizje cinike që synon sigurimin e lirimit me kusht të Dutroux.

Kush është Marc Dutroux?

Tani 61 vjeç, Dutroux ishte një kriminel i ‘kalitur’ kur ai dhe gruaja e tij Michelle Martin u arrestuan për rrëmbim dhe përdhunim në vitin 1986. I burgosur në vitin 1989, ai u lirua me kusht pas vetëm tre vjetësh.

Nga viti 1995 deri në vitin 1996 ai rrëmbeu gjashtë vajza.

Ai vrau dy adoleshente, An Marchal dhe Eefje Lambrecks dhe dy 8-vjeçare, Julie Lejeune dhe Melissa Russo, të uritura deri në vdekje në bodrumin e tij.

Dy vajza të moshës 12 dhe 14 vjeç mbijetuan.

Duke dhënë dëshminë kundër tij në gjykatë, Sabine Dardenne e pyeti: “Pse nuk më vrave?”

Dutroux kishte pohuar se ishte pjesë e një rrjeti pedofilie që përfshinte familje të rëndësishme dhe paaftësia e policisë në rastin e tij çuan në akuza për mbulimin e ngjarjeve.

Kur ai arriti ti merrte një armë një polici dhe u arratis nga një gjykatë në vitin 1998, dy ministra të qeverisë dhanë dorëheqjen.

Ish-gruas së tij iu dha lirimi i parakohshëm nga burgu në vitin 2012.

Çfarë thotë letra?

Javët e kaluara, ka pasur raporte për dërgimin e një letre për familjet e viktimave, por ato mbërritën vetëm të mërkurën.

Shpërndarë në Facebook nga babai i Julie Lejeune, letra e shkruar nga avokati i Dutroux Bruno Dayez flet për “drejtësi restauruese”.

Ndërsa Dutroux vetë premtoi se nuk do të kërkonte kontakt të drejtpërdrejtë, ai ishte “i gatshëm të jepte përgjigje nëse këdo që donte ti bënte pyetje”.

Nuk ishte çështje e krijimit të polemikave, apo rihapjes së plagëve, por të kontribuimit, edhe në një mënyrë shumë modeste, drejt shërimit të plagëve, shkruhej në letër.

Mediat belge theksuan se Dutroux duhet të plotësojë pesë kritere për të siguruar lirimin me kusht dhe tre prej tyre lidhen drejtpërdrejt me viktimat.

Si i janë përgjigjur të afërmit e viktimave?

Reagimi i tyre ishte i qartë.

Për Jean Lambrecks, babain e Eefje, ishte një “marifet i madh publiciteti nga një avokat që ka shumë kohë në dispozicion dhe pak klientë. Ai tha se letra, e shkruar në frëngjisht, ishte e pakuptimtë dhe nuk ishte përkthyer as në holandisht.

“Pas 23 vitesh, është koha që ky cirk të ndalojë. Ne nuk do përfshihemi,”-tha Paul Marchal, babai i An, për televizionin belg.

Jean-Denis Lejeune e denoncoi letrën si një lloj “torture morale”. Ai kishte mësuar për ekzistencën e letrës më 23 gusht, përvjetorin e funeralit të vajzës së tij.

Gino Russo, babai i Melissa, tha se çdo ide për faljen e vrasësit të vajzës së tij ishte jashtë çdo diskutimit.

“Do ia lë atë Perëndisë,“-tha ai për një TV francez. Ndërsa nëna e saj, Carine Russo, foli për ngacmime morale.