Romë – Një javë nga arratisja e shqiptarëve, asnjë filmim apo fotogramë nga sistemi i mbikqyrjes së telekamerave

514
Sigal

Ka kaluar plot një javë nga arratisja nga burgu i Rebibias në Romë i 3 shtetasve shqiptarë:

– Tesi Basho, i lindur më 9.9.1981 në Shqipëri, me dënim të përjetshëm;

-Ilir Pere, lindur më 22.7.1976 në Shqipëri me masë përfundimtare dënimi më vitin 2041;

-Mikel Hasanbelli, lindur më 9.7.1978 me masë përfundimtare dënimi më 2020.

Të tre ndodheshin në repartin G9 të masës së sigurisë mesatare.Sipas informacioneve të shpërndara sot nga mediat italiane nuk ekziston asnjë filmim apo fotogramë e marrë nga sistemi i mbikqyrjes së telekamerave në burgun e Rebibias që të shfaq momentin e arratisjes së tyre.

Në momentin e arrratisjes sistemi i mbikqyrjes me videokamera, brenda burgut e përreth murit rrethues ishte i prishur. Telekamerat nuk funksiononin.

Video e fotogramet e rekuperuara nga sistemi i mbikqyrjes do të shërbenin për të zbuluar nëse 3 shqiptarët gjatë arratisjes janë ndihmuar apo jo nga persona të tjerë që i prisnin jashtë mureve të burgut.

Policia italiane është ende në kërkim të 3 të burgosurve shqiptarë.

Pak ditë më parë i pyetur nga gazetarët rreth kësaj ngjarje, Ministri i Brendshmëm italian Anxhelino Alfano u shpreh se “ka besim se do t’i kapin ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën me të burgosur të tjerë që kanë tentuar arratisjen nga burgu. Nuk është hera e parë që ndodhin ngjarje të tilla”.

Gjithashtu Ministria e Brendshme italiane ka nisur verifikimet mbi detyrat e kontrollit të sigurisë së brendshme si dhe mbi legjitimitetin e masës së transferimit ndër rajonal të njërit prej të arratisurve, masë kjo e adoptuar nga një funksionar i Organit Shtetëor Administrativ Rajonal.

Një nga të arratisurit paraprakisht ndodhej në strukturën e vuajtjes së dënimit në Paola, ku kishte tentuar të arratisej, e ishte transferuar për motive sigurie nga Administrata Qëndrore në Viterbo.

Prej këtu ai ishte transferuar në Rebibia me urdhër transferimi ndër rajonal.

Mënyra e arratisjes së 3 shqiptarëve forcon idenë se ata prej kohësh përgatisnin planin e tyre të arratisjes.