Roma “pushtohet” nga hashashi shqiptar, rrëfejnë trafikantët italianë

399
Sigal

“Gjysma e territorit të kryeqytetit italian, Roma, është e pushtuar nga hashashi, i trafikuar kryesisht nga Shqipëria. Droga trafikohej në lagjet e zonës së qëndrës e në pjesën lindore të qytetit”.

Ky është konkluzioni i operacionit të policisë italiane i koduar “Brothers” i cili ka çuar sot në arrestimin e 4 personave, vënien nën hetim të 100 personave të tjerë si dhe sekuestrimin e 50 kg drogë e 550 mijë euro cash.

Qindra kilogramë drogë, kryesisht hashash i ardhur nga Shqipëria, trafikohej në Romë nga 4 grupe kriminale italiane të organizuara mjaft mirë për t’i shpëtuar kontrolleve të policisë me përfshirjen dhe të mjaft femrave të cilat fshihnin në banesat e tyre lëndën narkotike.

Droga trafikohej kryesisht në lagjet e populluara të Romës si Petralata, Montesacro, Santa Maria Soccorso, Casal de’Pazzzi, Casal Bruciato etj ku dhe numri i trafikantëve të vegjël është mjaft i lartë.

Trafikohej kryesisht hashash e shumë pak marijuanë e kokainë e sipas investiguesve, biznesi i përftimit nga trafiku i drogës ishtë mjaft i lartë.

Sipas policisë italiane është një nga skenarët më të mëdhenj të zbuluar deri më sot në panoramën e trafikut të drogës në kryeqytetin italian, me një numër mjaft të madh klientësh konsumatorë të hashashit.

Operacioni “Brothers” ka nisur hetimet 5 vite më parë pas arrestimit të një trafikanti me 1 kg e gjysmë drogë, hetimet ndaj të cilit çuan në identifikimin e vëllait të tij të burgosur e kontakteve të tij me trafikantë të njohur në zonën Tiburtino në Romë.

4 organizatat që trafikonin hashashin e ardhur nga Shqipëria në Romë, kishin në zotërim një arsenal të madh armësh të përdorur për t’u mbrojtur nga grupet rivale.

4 personat e arrestuar janë 4 shtetas italianë, Emanuel Barone 34 vjeç dhe Cristiano Bussaglia, 36 vjeç të konsideruar si krerët e bandave trafikante, si dhe Samir Urso e Alessio Nataletti.