Rinkevics: Mos pranimi i vizitës së Thaçit, gabim i Beogradit

452
Ministri i Punëve të Jashtme i Letonisë Edgars Rinkevics, ka kritikuar palën serbe për deklaratat e ditëve të fundit rreth vizitës së kryediplomatit kosovar Hashim Thaçi në Serbi.
Sipas tij, deklaratat e tilla nga të dyja palët nuk i ndihmojnë dialogut që po zhvillohet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Këto komente Rinkevics i bëri pas një takimi që ka pasur me Ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, me të cilin kanë biseduar rreth integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, liberalizimit të vizave, gjykatën speciale dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Rinkevics i pyetur nga gazetarët rreth mos lejimit të Hashim Thaçit ta vizitojë Serbinë, tha se këto deklarata nuk i ndihmojnë dialogut që po zhvillohet ndërmjet dy vendeve.
“Mendoj që të tilla deklarata të bëra nganjëherë nga politikanët nga të dy palët do të thosha nuk e mbështesin zhvillimin e përgjithshëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj shpresoj që do të kemi dialog të kujdesshëm dhe kuptimplotë dhe të mirë, i cili është shumë i komplikuar për shumë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, prandaj deklaratat duhet të bëhen me kujdes”, tha Rinkevics.
Kreu i diplomacisë së Letonisë është shprehur i mahnitur më zhvillimet që ka parë në Prishtinë, që prej vizitës së parë para 10 viteve që kishte bërë në Kosovë. Rinkevics shtoi se me ministrin Çollaku kanë biseduar rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe nevojën për të përmbyllur marrëveshjen për MSA-në ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Ndërsa, rreth liberalizimit të vizave, kryediplomati letonez tha se duhet të meritohet dhe mezi presin raportin e Qeverisë së Kosovës për të arriturat në përmbushjen e kritereve të dala nga udhërrëfyesi për vizat. Derisa, theksoi se mezi pret ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë Gjykatës Kushtetuese.
Rinkevics: Liberalizimi duhet të meritohet
“Ky është një proces që duhet të meritohet dhe jo i bazuar në kalendar, prandaj presim përparim në procesin në të gjitha fushat e liberalizimit të vizave. Unë, po ashtu mezi pres t’i shoh ndryshimet në Kushtetutë që do të hapin rrugë për themelimin e Gjykatës Speciale, në radhë të parë për qytetarët e Kosovës për të pasur hetime të pavarura në krimet e luftës të supozuara dhe për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë ata që janë përgjegjës për krime, dhe mendoj që kjo do t’iu çojë me afër BE-së”, theksoi Rinkevics.
Marrë nga RTK
Sigal