Rikthehet pasiguria, Athina mund të refuzojë këstin e kredisë

513
Ka zgjatur më pak se dhjetë ditë optimizmi i Athinës zyrtare për një zgjidhje favorizuese në çështjen e borxhit publik.

Pas takimit të Ministrave të Financave të Eurozonës, më 22 maj ishte deklaruar se ata ndodheshin shumë afër një marrëveshje për borxhin grek, finalizimi i të cilës ishte shtyrë për takimin e radhës, më 15 qershor.

Mirëpo deri tani, duket se nuk ka gjasa që ajo marrëveshje të arrihet, kryesisht për shkak të insistimit të Berlinit për të mos pranuar asnjë reduktim të borxhit.

Kjo situatë ka risjellë në skenë spekulimet për një pamundësi të Greqisë që të shlyejë bondet, të cilat maturohen në muajin korrik dhe që arrijnë në 7 miliardë euro.

Në kohën që Ministri grek i Financave nuk i ka hapur krejtësisht letrat, revista gjermane ‘Der Spiegel’ shkruan se po zhvillohen negociata të ethshme në prapaskenë, pasi, nëse nuk do të ketë marrëveshje, Greqia gjendet në prag të falimentimit.

Në korrik skadon afati i shlyerjes së bondeve me vlerë 7 miliardë euro, nënvizon ‘Spiegel’.

Ndërsa gazeta gjermane ‘Bild’ shkruan të martën se Athina është e gatshme të refuzojë marrjen e këstit të radhës të kredisë, nëqoftëse nuk do t’i jepet reduktimi i borxhit.

Ky këst është i domosdoshëm pikërisht për shlyrejen e bondeve që maturohen në korrik.

‘Bild’ shton se Athina ka deklaruar në mënyrë të përsëritur që do t’i zbatojë masat e ashpra të votuara në fillim të muajit, vetëm nëse merr reduktimin e borxhit, gjë që e përjashtojnë disa vende të BE-s, e posaçërisht Gjermania.

Gjithsesi, Ministri grek i Financave, Euklidis Tsakalotos, ka shprehur besimin se homologu i tij gjerman, Wolfgang Schauble, do të jetë më konstruktiv në takimin e radhës të Eurogrupit, që do të mbahet më 15 qershor.

“Askush nuk e do një falimentim të Greqisë, aq më pak zoti Schauble”, tha Tsakalotos gjatë një bashkëbisedimi me të dërguar të medieve gjermane në Athinë.

Tskalotos është pyetur disa herë nga gazetarët gjermane se çfarë do të bëjë Athina nëse nuk arrihet marrëveshja për reduktimin e borxhit.

Por Ministri grek i Financave nuk ka dhënë një përgjigje të qartë. Ai ka thënë se “Athina nuk mund të pranojë një marrëveshje që nuk respekton marrëveshjet e arritura”.

“Askush nuk dëshiron të mos shlyhen bondet në korrik, as edhe vetë kreditorët”, ka shtuar Tsakalotos.

Kjo duket se është karta që do të luajë pala greke në takimin e eurogrupit, që do të mbahet më 15 qershor.

Por sipas analistëve kjo do të jetë një lojë e rrezikshme.
Sigal