Rikthehet energjia në aeroportin ndërkombëtar të Atlantës

127
Aeroporti Hartsfield-Jackson ishte pa energji elektrike për gati 10 orë para se ekipet e kompanisë “Georgia Power” të rivendosnin normalitetin për ato operacione që i cilësojnë si shërbime “të domosdoshme”.
Të gjitha fluturimet për në Atlanta u devijuan për në aeroporte të tjera rajonale, ndërsa fluturimet me destinacione të tjera u anuluan, duke i lënë pasagjerët të bllokuar në terminale apo avionë.
“Harxhova 7 orë të tëra e bllokuar në avion pa ujë apo ushqim dhe më në fund na lanë të dilnim. Më pas hyra në një dhomë në errësirë ku njerëzit flinin në dysheme. Isha në telefon me kompaninë Delta për gati 2 orë dhe ende nuk e kam konfirmimin. Duhet të rimbursohem për këtë shqetësim dhe tani dua thjesht të kthehem në shtëpi”, thotë pasagjerja Mariam Gharbi.
Fluturime të tjera me destinacion Atlantën janë anuluar deri sot pasdite.
Kompania elektrike Georgia Power tha se beson se problemet kishin lidhje me një zjarr që solli dëme të mëdha në një nga impiantet elektrike nëntokësore si dhe në qarkun kabllor të lidhur me aeroportin.
Kompania Delta Airlines, që e ka selinë në Atlanta, anuloi rreth 900 fluturime të djelën dhe 300 të tjera të hënën.
Aerporti Hartsfield-Jackson është një nga më të ngarkuarit në botë me më shumë se 2,500 fluturime në ditë duke qarkulluar më shumë se 250,000 pasagjerë.