Rikthehen arrestimet, 803 persona në pranga si mbështetës të Gulen

496
803 persona, ku shumica e të cilëve janë oficerë policie, kanë përfunduar në pranga në Turqi, në vazhdën e arrestimeve që janë ndërmarrë pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit. Këta individë akuzohen si mbështetës të klerikut Fetullah Gulen dhe sipas autoriteteve turke, kishin krijuar një strukturë sekrete në brendësi të Policisë. Operacioni është zhvilluar vetëm dhjetë ditës pas referendumit popullor të Turqisë, ku propozimet e Presidentit Erdogan për ndryshime në sistemin qeverisës, u mbështetën nga 51% e qytetarëve.

Turqia ka organizuar sërish një aksion masiv arrestimesh, ndërsa në pranga kanë përfunduar 803 persona që akuzohen për mbështetje të klerikut, Fetullah Gulen, i cili për Ankaranë është edhe organizatori i Grushtit të Dështuar të Shtetit në muajin Korrik të vitit që lamë pas. Nga të dhënat zyrtare, mësohet se shumica e të arrestuarve janë oficerë policie. Sipas autoriteteve turke, këta individë kishin krijuar një strukturë sekrete brenda forcave policore, e cila përbënte rrezik për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e vendit. Tashmë, personat e vënë në pranga do të përgjigjen përpara drejtësisë për akuza të ndryshme, ndërkohë që lëvizja ka patur sërish kritika nga perëndimorët. Në operacionin masiv u angazhuan në total 8.500 forca sigurie. Këta të fundit, duhet të vinin në pranga mbi 1.000 persona, për arritën që të arrestojnë vetëm 803 prej tyre.

Këto arrestime i shtohen bilancit të arrestimeve për grushtin e shtetit. Pas trazirave të ndodhura në qytetet kryesore të vendit, autoritetet arrestuan menjëherë 40 mijë persona, ndërkohë që 120 mijë të tjerë, janë shkarkuar ose pezulluar nga detyrat e tyre. Ndërkohë, që prej atëherë, gjyqsori turk ka proceduar me shqyrtimin e cështjeve për të arrestuarit.

Operacioni masiv vjen vetëm 10 ditë pas referendumit të organizuar në Turqi për ndryshimin e sisitemit qeverisës, ku propozimet e Presidenti Rexhep Taip Erdogan, u përkrahën nga 51% e elektoratit. Tashmë vendi pritet që në harkun kohor të dy viteve, të pësojë ndryshime të theksuara, ku figura e Presidentit do të vishet me pushtet ekzekutiv.
Sigal