Republikanët në SHBA rifitojnë vendet në Kongres

469
Donald Trumpi kaloi me sukses një test të rëndësishëm. Në dy zgjedhje të pjesshme, kandidatët republikanë të partisë së tij qenë në gjendje t’i mposhtin kundërshtarët e tyre demokratë.

Demokratët në SHBA dështuan sërish në përpjekjen e tyre, për ta shfrytëzuar popullaritetin e ulët të Presidentit të SHBA, Donald Trump, tek zgjedhësit e republikanëve. Në dy zgjedhje që u bënë për të marrë mandate në zona që si traditë zgjedhin republikanët, në shtetet Georgia dhe South Carolina, fituan kandidatë të partisë në pushtet të Trumpit, siç rezultoi nga disa përllogaritje të stacioneve televizive amerikane.

Ndarja e vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve nuk ndryshon

Në një garë të fortë në Georgia, Karen Handel fitoi kundër demokratit Jon Ossoff. Demokratët vërtet që qenë në gjendje të arrijnë një shtim historik të votave për ta, por nuk e arritën suksesin për të përfunduar në shumicë.

Në Karolinën e Jugut, favoriti republikan Ralph Norman siç pritej e ruajti epërsinë. Shumica e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve mbetet në këtë mënyrë e pandryshuar. Presidenti i SHBA, Trump u tregua i gëzuar dhe lëvdoi veçanërisht fitoren e Karen Handelit.

Zgjedhjet e pjesshme u bënë të nevojshme, pasi mbajtësi i deritashëm i mandatit në zonën e gjashtë elektorale të shtetit Georgia e dorëzoi mandatin e tij dhe avancoi si ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Donald Trumpit. Në South Carolina, Mick Mulvaney u largua nga Dhoma e Përfaqësuesve në qeveri.

Shumë rekord për fushatën elektorale

Pas votimeve në shtetet federale të Kansas dhe Montana, këto ishin zgjedhjet e treta dhe të katërta, në të cilat demokratët patën shpresa se do të depërtojnë në kështjellat e republikanëve, por nuk e arritën këtë synim.

Për të dyja partitë, e rëndësishme ishte para së gjithash zgjedhja e pjesshme në Georgia. Ajo u konsiderua si barometër për gjendjen, më tepër se pesë muaj pas ardhjes në post të Donald Trumpit. Republikanët dhe demokratët së bashku shpenzuan për këto zgjedhje 55 milionë dollarë – më shumë se ç’qe shpenzuar ndonjëherë më parë në një qark të vetëm elektoral.
Sigal