Rënie në bursa pas “jo”-së greke. Euro zhvlerësohet ndaj dollarit

513
Tregjet europiane dhe ato aziatike të aksioneve ranë që të gjitha pas votës “jo” të grekëve në referendumin e së dielës.
Bindja e përgjithshme se pas këtij zhvillimi, Greqia mund të dalë nga zona e monedhës së përbashkët ka bërë që euro të pësojë një rrëshqitje me 0.4% të vlerës kundrejt dollarit amerikan dhe 0.5% ndaj paundit britanik.
Indeksi i Japonise, Nikkei pësoi humbje në nivelin 2%, CAC-40 e Parisit dhe Dax-i i Gjermanisë, që në hapje ishin me humbje, përkatësisht 2.1 dhe 1.9%, një reagim ky më i fortë se parashikimi. Në Londër, FTSE 100 u rudh me 1%.
“Rreziku i një Grexit-i tani është shtuar. Kjo do të çojë drejt fundosjes së shumë aseteve të konsideruara me doza të larta rreziku, ndërsa paratë do të largohen drejt parajsave të sigurta”, komentoi situatën Philippe Gijsels, drejtor i kërkimit në BNP Paribas Fortis Global Markets.
Të dielën, Banka e Greqisë deklaroi se planifikon t’i paraqesë një kërkesë zyrtare Bankës Qendrore Europiane për një ndihmë të re. Pa fondet e emergjencës së BQE-së shtohet frika se bankat greke brenda disa ditësh mund të mbeten pa para kesh, çka me të gjitha gjasat do ta detyronte qeverinë të presë një tjetër monedhë për të paguar rrogat e pensionet.
Disa zyrtarë europianë megjithatë kanë paralajmëruar se kreditorët mund ta përkthejnë voten “jo” si refuzim të palës greke për bisedime të mëtejshme.
Zëvendëskancelari gjerman Sigmar Gabriel deklaroi se, me këtë lëvizje, Aleksis Tsipras i shembi urat mes Greqisë dhe Europës.
Ekspertja Kathleen Brooks, e Forex.com profetizon një rënie të mëtejshme të euros, për shkak se situata pas referendumit do ta bëjë monedhën e përbashkët mjaft të cenueshme ndaj sulmeve spekulative gjatë ditëve në vijim.
Sigal