Referendumi turk për ndryshimet kushtetuese, publikohen rezultatet e para të votave

449
Është mbyllur votimi i referendumit për ndryshimet kushtetuese në Turqi. Sipas rezultateve të para, nga 40% e votave të numëruara deri tani 60% kanë votuar në favor të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa 40% kundër.

Qytetarët e Turqisë iu drejtuan sot kutive të votimit për herë të 7-të në referendum për ndryshimet kushtetuese prej 18 pikash të cilat synojnë të kthejnë sistemin e qeverisjes në “sistem presidencial”. Numri i votuesve të regjistruar në Turqi është 55 milionë e 319 mijë e 222 zgjedhës rezidentë në këtë vend. Ata ushtruan të drejtën e tyre të votës në 167 mijë e 140 qendra votimi.

Votat jashtë vendit
Votimet për qytetarët të cilët jetojnë jashtë Turqisë nisën më 27 mars dhe përfunduan më 9 prill. Në 57 vende të botës janë hapur 120 qendra votimi. Në këto qendra votimi kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës 1 milionë e 326 mijë e 70 persona. Zarfet e votave të përdorura jashtë vendit janë dërguar në Turqi përmes shoqëruesve diplomatikë. Ata do të numërohen në të njëjtën kohë me votat në vend. Nga ana tjetër votimi do të vazhdojë deri në orën 17:00 edhe në pikat kufitare të Turqisë.

Për çfarë do të votohet?
Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të 18 neneve, parashikohet rritja e numrit të deputetëve nga 550 që është aktualisht të shkojë në 600 dhe ulja e moshës për deputet nga 25 në 18 vjeç.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të bëhen një herë në 5 vite dhe në të njëjtën ditë. Personit të zgjedhur si president nuk do ti hiqet lidhja me partinë.

Kandidati për president mund të zgjidhet nga grupet parlamentare, partitë të cilat kanë marrë më shumë se 5 për qind të votave në zgjedhjet paraprake, ose me firmat e 100 mijë qytetarëve.

Nëse Presidenti akuzohet për diçka, parlamenti do të ketë mundësi që me një shumicë të theksuar ti hapë rrugën e dërgimit përpara drejtësisë.

Zëvendësit e Presidentit dhe ministrat do të mund të zgjidhen dhe shkarkohen nga presidenti. Ngritja e ministrive të reja, heqja, dhënia e detyrave, apo organizimi i tyre do të bëhet me vendim të presidentit.

Parlamenti me tre të pestat e votave do të mund të dërgojë vendin në zgjedhje të reja.

Nëse presidenti vendos për zgjedhje të reja, zgjedhjet presidenciale bëhen bashkë me ato parlamentare.

Nëse parlamenti vendos të shkojë në zgjedhje të parakohshme, gjatë mandatit të dytë të presidentit, atëherë presidenti në detyrë do të ketë të drejtë të hedhë përsëri kandidaturën.

Numri i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të ulet nga 17 në 15.

Zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale pas referendumit do të zhvillohen më 3 nëntor 2019.
Sigal