Referendumi, presidenti i Katalunjës: Spanja po shkel të drejtat themelore

169
Presidenti i Katalunjës ka akuzuar qeverinë spanjolle se po vepron “përtej limiteve të një demokracie të respektueshme” dhe se po shkel të drejtat fundamentale, në përpjekjet e saj të fundit për të penguar mbajtjen e një referendumi pavarësie më 1 tetor.
Por, teksa ka shkruar për “The Guardian”, një ditë pasi oficerët spanjollë të Gardës Civile bastisën ndërtesat e qeverisë rajonale dhe arrestuan 14 zyrtarë të lartë, Carles Puigdemont këmbëngul se votimi do të zhvillohet gjithsesi, pavarësisht presionit gjithnjë e në rritje.
“Autonomia katalanase është pezulluar efektivisht për shkak të kësaj sjelljeje antidemokratike të qeverisë spanjolle, – shkruan ai. – Jemi në një situatë që na kthen në të kaluarën e errët të këtij vendi, kur demokracia nuk ishte pjesë e fjalorit spanjisht. Ajo që po ndodh këtu në Katalunjë nuk duhet të ndodhë kurrsesi në asnjë vend tjetër të Bashkimit Europian”.
Puigdemont thotë se kërkesat për negociata me qeverinë e Madridit janë injoruar dhjetëra herë dhe se ekzekutivi spanjoll po refuzon të zhvillojë ndonjë dialog mbi këtë çështje.
“Në vend që të përfshihet në diskutime, qeveria spanjolle ka vendosur të vërë në punë policinë dhe gjykatësit, duke shkuar përtej limiteve të një demokracie të respektueshme, – shkruan më tej ai. – Me arrestimet e zyrtarëve të lartë dhe kërcënimet për arrestim të politikanëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, besoj se qeveria spanjolle ka shkelur kapitullin europian të të drejtave themelore”.
Gjithsesi, Puigdemont tha se referendumi do të zhvillohet më 1 tetor, pavarësisht çfarëdolloj hapi që mund të marrë në vijim qeveria spanjolle.
“I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të qëndrojë në krah të Katalunjës, në mbrojtjen e saj ndaj demokracisë dhe vlerave të vërteta europiane. Ndërkohë, qytetarët tanë duhet të jenë të gatshëm të mbrojnë demokracinë dhe vetëvendosjen në ditët e ardhshme, me të vetmet armë që ne kemi në duar: votën, kutitë e votimit dhe sjelljen paqësore”.
Zv.presidenti i rajonit të Katalunjës, Oriol Junqueras pranoi se arrestimet, si dhe sekuestrimi i rreth 10 milionë fletëve të votimit, nënkuptojnë se rregullat e lojës tashmë kanë ndryshuar.
“Rrethanat sot janë të ndryshme, sepse një pjesë e rëndësishme e ekipit tonë, thuajse gjysma e ekipit ekonomik është arrestuar”, tha ai. “Referendumi, sigurisht që nuk mund të zhvillohet në rrethanat që ne do të kishim dashur”.