Reagime mbi situatën në Ukrainë

550
Sigal

Në sjelljen e saj me Rusinë e Putinit, Shtetet e Bashkuara duhet të “rivendosin” sërish politikat dhe taktikat e saj

  John Lenczowski

Washington

Çfarë duhet të bëjnë Shtetet e Bashkuara në mënyrë që të evitojnë luftën në përgjigje të pushtimit të Krimesë nga Rusia? Kjo është një pyetje legjitime dhe jetike. Por është njësoj sikur të pyesësh çfarë do të bënte një person duke luajtur letra në se do të kishte në dorë serinë e letrave më të këqija dhe kur mendon se, në lojërat e mëparshme, kishte patur në dorë letrat më të favorshme. Sa herë që e dëgjoj këtë pyetje, kthehem nga vetja: Përse liderët e vendit tonë, aktualisht, vetëm sot po mendojnë seriozisht mbi Ukrainën, kur ata duhet që t’i kishin vënë pikat mbi ‘i’ për këtë problem kohë më parë?

Rusia dhe “rethinat e afërme” të saj
I kemi ditur për një kohë të gjatë interesat strategjike të Rusisë në Ukrainë dhe në vende të tjera, të cilat ata i quajnë “rrethinat e afërme”.  Doktrina e tyre e sigurisë kombëtare e argumenton se,  Moska ka “të drejtën” për të ndërhyrë ushtarakisht për të mbrojtur “njerëzit rusisht-folës” kudo qofshin ata, nëpër vendet në kufi me Rusinë. Kjo doktrinë, e cila është plotësisht në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, u adoptua zyrtarisht me qetësinë më të madhe në politikën Ruse që në dy vitet e para të Rusisë post – sovjetike. Për dy dekada, ne kemi qenë dëshmitarë të ndërhyrjes Ruse në punët e brendshme të ish- republikave sovjetike që aktualisht janë të pavarura dhe sovrane. Kjo përfshin depërtim të inteligjencës në të gjitha instancat shtetërore, me karakter ofensivë, blerja e kompanive lokale nga korporata të kontrolluara nga Shërbimi i Sigurisë Federale (FSB) ose mafia ruse; përdorimi i kërcënimeve me ndërprerjen e burimeve të energjisë; mbështetja e gjithanshme dhe financiare për fraksionet politike dhe liderë individualë nëpër këto shtete dhe vazhdimi i një politike ruse që bazohet në filozofinë ‘përça dhe sundo’. Kjo politikë përmban nxjerrjen e një grupi etnik apo fetar kundër një grupi tjetër këtu edhe nxitje e tejskajshme e masakrimeve nga një grup etnik ndaj tjetrit. Shembuj të tillë janë ndërsimi i azerëve kundër armenëve, turqit mesket kundër uzbekëve, abkhazianët dhe osetianët e jugut kundër gjeorgjianëve, gagauzët dhe rusët kundër moldavëve, rusët kundër estonianëve, lituanianët kundër polakëve, dhe tani rusët kundër ukrainasve si dhe polakët kundër ukrainasve. Rusia ka dashur gjithmonë të shtrijë hijen e saj të pushtetit mbi Europën Qendrore dhe Lindore, kryesisht duke përdorur influencën e inteligjencës së përshkueshme dhe të përhapur, si dhe depërtim tregtar. Madje, janë ngritur një sërë pikëpyetjesh, gjatë dy viteve të fundit, në lidhje me rënien e avionit të presidentit Polak  në Smolensk, Rusi, më 2010, për një sabotazh të mundshëm.

Pergjigje E dobËt amerikane

Përballë gjithë kësaj, Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar në heshtje. Në fakt, Presidenti Obama e ka shpërblyer Vladimir Putinin me politikën e tij të “rivendosjes”, e cila u krijua për të ulur tensionet me Moskën dhe gjetjen e mënyrave të tjera për një bashkëpunim të frytshëm nga të dy palët. Sidoqoftë ka patur disa rezultate kjo mënyrë bashkëpunimi. Kryesorja ka qenë në lidhje me lejen nga pala ruse për të përdorur “korridorin e veriut” për të furnizuar me armë dhe logjistikë forcat në frontin e luftës së Afganistanit me qëllim evitimi të të rënit në mëshirë të Pakistanit. Më 2011, të dy vendet firmosën të ashtuquajturin traktati i ri Start, një marrëveshje e kontrollit të armëve që nuk i shërben seriozisht interesave strategjike të SHBA-ve.  Nuk ka patur një garë armatimesh midis Rusisë dhe SHBA-ve, me përjashtim të iniciativave të Moskës në modernizimin e arsenalit dhe forcave të saj bërthamore dhe vazhdon me këtë ritëm me gjithë firmosjen e marrëveshjes Start, së fundmi. Traktati u firmos edhe pse qeveria amerikane e dinte se Moska ishte duke shkelur Traktatin e Forcave Bërthamore Ndërmjetëse të 1987-s,  ashtu sikurse Moska ka bërë gjithmonë, duke shkelur çdo traktat armësh që ajo ka firmosur qoftë nën mburojën e Bashkimit Sovjetik apo post – sovjetik. Nw vitin 2009, SHBA-ja braktisi instalimin e raketave dhe radarëve për mbrojtjen anti- raketë në Poloni dhe Republikën Çeke, dhe ne e bëmë këtë në një mënyrë jo-diplomatike, pa i konsultuar dhe siguruar këta anëtarë të NATO-s, që ajo ishte një shuplakë në fytyrë. Çfarë do ta motivonte këtë trajtim të turpshëm të aleatëve tanë, përveç dëshirës për t’i treguar Moskës që ne ishim gati të përkuleshim së prapthi për të akomoduar interesat e saj? Mund të argumentohet se politika e administratës Obama për të lejuar Europën të jetë në krye të iniciativës për të ftuar Ukrainën, të jetë e integruar ekonomikisht në gjirin e saj, ishte po aq  lëvizje e zgjuar sa edhe mungesa e futjes së gishtit amerikan direkt në sytë e Rusisë. Por çështja madhore është: A duhet të ishim ne më esëll në lidhje me qëllimet strategjike të Rusisë, veçanërisht me Ukrainën, e cila është gjeo-strategjikisht çmimi më i madh i një politike revanshiste ruse? A duhet të ishim më shumë seriozë në reagimin tonë ndaj agresionit rus në Gjeorgji? Mos duhet të kishim kuptuar se taktikat prej sallami të Rusisë ishin shkaktarët e destabilizimit të rrezikshëm në rajon? Gjithë kjo është shumë mirë për të dashur një harmoni interesash me Rusinë, të cilat, në vlerësimin tim, janw dy: Lufta kundër terrorizmit Islamik dhe përmbajtja apo kufizimi i ekspansionit Kinez. Në pamjen e madhe të gjërave, Kina është objektivisht rreziku gjeostrategjik më i madh i Rusisë.  Gjatë gjithë kësaj kohe, ka një rritje të punëtorëve Kinezë në Siberi.  Ashtu si disa komentatorë kanë konstatuar, do të vijë dita kur Kina do të synojë ndërhyrjen e forcave ushtarake të saj për të mbrojtur bashkëkombësit e saj në territoret fqinjë të Siberisë. Jo vetëm Putini, por dhe njerëzit e konfederatës me mllef të madh nga shkatërrimi i Rusisë në Luftën e Ftohtë, do të preferonin të shpenzonin të gjitha energjitë emocionale të tyre për të bllokuar interesat e SHBA-së dhe NATO-s, madje janë të etur për të ripërtërirë hapësirën politike Sovjetike në vend që të kujdesen seriozisht në përballimin e rreziqeve të mirëfillta të sigurisë. 

Mungesa e kredibilitetit

Tani që ne kemi një seri letrash shumë të këqija në dorë, deri në çfarë mase e ka ashpërsuar këtë situate lidershipi amerikan?

“Vijat e kuqe” të administratës Obama dhe kërcënimet konsiderohen nga armiqtë tanë si blofe, kërcënime boshe. është e lehtë për të humbur kredibilitet diplomatikë; është shumë e vështirë për ta rifituar. Por kredibiliteti është ajo që i jep mundësinë një fuqie të madhe të sigurojë interesat jetësore dhe të aleatëve të saj dhe miqve pa u detyruar të vrasë njerëz për të arritur këto objektiva. Ajatollahët e shikonin me përbuzje Xhimi Karterin dhe mbajtjen peng të bashkëqytetarëve tanë për 444 ditë. Ata kishin respekt për Ronald Reagan, i cili, ende pa u emëruar president, demonstroi forcën morale dhe politike të nevojshme për të fituar respekt.  Ajatollahët nuk donin të ngatërroheshin me Ronald Reagan dhe i çliruan pengjet në ditën e inaugurimit të tij si President. Putini e shikon Obamën ashtu siç, Ajatollahët, shikonin Xhimi Karter-in.  Dhe kjo gjë e bën botën  akoma edhe më të rrezikshme, sepse, në qoftë se Presidenti Obama dëshiron të ndërtojë kredibilitet serioz, ai mund te tundohet për të marrë veprime që janë me më shume risk se ato që do të merrte Roland Reagan.

Atëherë çfarë duhet bërë?

Përfundimisht, politika jonë duhet të ndërtohet mbi bazën e asaj që është jetësore në interesin tonë kombëtar. Këto interesa përmbajnë:

1) Të garantojë një sjellje paqësore ndërmjet të gjitha vendeve në Europë, dhe të sillen mirë me njëri – tjetrin. Në qoftë se Europa është në paqe, zhvillimi ekonomik dhe tregtia ndërkombëtare vijnë duke u shumëfishuar, jo vetëm në të mirë të Europianëve por edhe në të mirën tonë.

 Arsyeja për zgjerimin e NATO-s ishte saktësisht kjo, dhe ka qenë një investim tepër i suksesshëm nga ana jonë. Pse? Sepse ka shumë konflikte të mundshme në kontinent, veçanërisht në zonat qendrore dhe lindore, të cilat lindin nga prania e një grupi etnik që jeton si minoritet brenda territorit të një vendi fqinjë.  Shtypja e çdo politike iredentiste ka qenë jetësisht e nevojshme për të ruajtur paqen. Disa vendeve që janë të prirur për të ndjekur politika të tilla iu desh pwr t’i dhënë nxitje serioze për të hequr dorë nga këto lëvizje, dhe beneficet e sigurisë të anëtarësisë në NATO kanë qenë më seriozet e kësaj nxitjeje. I vetmi vend, ku rrethanat na ndaluan për të instaluar një shtytje të tille nga NATO, në kohë, ishte Ballkani, the çmimi u pagua shtrenjtë me luftërat midis Federatës Jugosllave dhe provincave të ndara (tani të pavarura) të Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë – Hercegovinës dhe Kosovës.

2) Të garantojë që Rusia të kanalizojë energjitë e saj në politika konstruktive duke stimuluar zhvillimin e brendshëm ekonomik dhe sigurinë e duhur nga rreziqet e mirëfilltë dhe jo të merret me destabilizimin e politikave që janë krijuar për të ripërtërirë ish-hapësirën politike sovjetike.  Politika revanshiste të tilla vetëm mund të provokojnë rezistencë lokale ndaj regjimit të Moskës si ajo që ka hasur në Çeçeni, e cila ka tërhequr xhihadistë nga e gjithë bota, drejt të keqes më të madhe, jo vetëm për Rusinë, por edhe për perëndimin. Mundësia që xhihadistët të zbresin drejt Krimesë për të mbrojtur Tatarët myslimanë nuk mund të përjashtohet.

Prespektiva

Rusia ka patur për një kohë të gjatë një kulturë strategjike që e mat me kujdes “bashkërendimin e forcave” – forcat relative dhe dobësia e palëve në çdo konflikt.  Është shumë i ndjeshëm ndaj sinjaleve jo vetëm me forcë materiale por edhe me forcë morale, politike, ideologjike.  Për të siguruar interesat tona jetësore, prioriteti ynë kryesor është për të filluar dërgimin e sinjaleve të forcës në botë, në kundërshtim të ujëvarës së shenjave të dobësisë që kjo administratë ka transmetuar. Para së gjithash, kjo gjë kërkon anulimin e shkurtimeve ligeshtuese në buxhetin e mbrojtjes.  Kjo do të thotë të zbulosh aleatët tanë, veçanërisht ata afër kufirit me Rusinë dhe, kryesisht, vendet balltike, Polonia dhe Rumania.  Kjo do të konsistonte në furnizimin e tyre me armë më të avancuara mbi të gjitha sistemet e mbrojtjes anti-raketë.  Efekti i përmbajtjes frenuese i një politike të tillë do të merrte një rritje duke zbarkuar trupat amerikane dhe të NATO-s atje, në mënyrë të përhershme dhe sigurimin e furnizimit me armë. Ka një numër sanksionesh ekonomike që meritojnë konsideratën më serioze.  Ashtu siç kanë komentuar shumë të tjerë, ndër lëvizjet më të rëndësishme do të ishin ato që deprimojnë vullnetin e Rusisë për të ushtruar kërcenim energjetik kundër Ukrainës dhe ndaj shumë aleatëve të NATO-s.  Një politikë aktive – në kundërshtim të pasivitetit të administratës, pse jo edhe penguar – për të kërkuar pavarësinë energjetike të Shteteve të Bashkuara duhej bërë shumë kohë përpara.  Ajo që asnjë njeri nuk po e përmend, por që duhet vënë në zbatim për njëherë, është një fushatë e gjerë informacioni për t’ju kundërvënë propagandës së jashtëzakonshme të Moskës dhe përpjekjeve për të menaxhuar perceptimet.  Një fushatë e tillë do ta vendoste Putinin në një mbrojtje politike duke ekspozuar precedentët e vazhdueshëm të dhunës ruse mbi sovranitetin e fqinjëve të saj, dhunimet e Rusisë ndaj obligimeve të saj ndërkombëtare dhe kriminaliteti Rus që shtrihet nga shtypja e medias së lirë në Moskë deri në vrasjen e armiqve politikë në kryeqytetet e huaja.  Putini thotë se qeveria aktuale e Ukrainës është jo – legjitime.  Ironia qëndron se zgjedhja e Putinit ishte aq e përlyer nga korrupsioni dhe manipulimet, aq sa që edhe vetë legjitimiteti i tij vihet në pikëpyetje. Do të ishte legjitime të ngrinim një tezë mbi territorin rus të enklavës baltike në Kaliningrad, i cili asnjëherë nuk ka qenë në territorin rus dhe nuk duhet të ishte pjesë e Rusisë pas rënies se Bashkimit Sovjetik. Sundimi rus mbi tokat jo-ruse siç janë ato të Kaukazit, mund të ngrihet si problem në komitetin special të Kombeve të Bashkuara mbi de-kolonizimin. Një problem tjetër është edhe fakti se pushtimi i Ukrainës nga Rusia përbën një dhunim të memorandumit të Budapestit në ruajtjen e sigurisë. Në këtë marrëveshje, të firmosur në vitin 1994, Rusia u zotua të respektonte sovranitetin e Ukrainës në kufijtë e saj ekzistues. Në këmbim të kësaj, Ukraina do të dorëzonte të gjitha armët bërthamore. Moska e ka drejtuar ndërhyrjen në Krime duke u bazuar në pretendime fallso të lidhura me rrezikun që u kanoset rusëve atje, dhe tani po lëshon të njëjtat pretendime në lidhje me rusët që jetojnë në Ukrainën Lindore.  Ku është e vërteta për të kundërshtuar këto manipulime? Ku është iniciativa e komunikimit strategjik në këtë administrate? Mbrojtja e sovranitetit territorial të Ukrainës është një çështje e lidhur seriozisht me interesa gjeostrategjike. Në qoftë se Rusia është në gjendje të dalë faqebardhë me aneksimin e një pjese apo të gjithë Ukrainës, çfarë do ta ndalonte atë nga aneksimi i Moldavisë?  Kush do ta frenonte për të rigëlltitur Armeninë? Apo, me të njëjtat pretendime, të gllabëronte sërish Gjeorgjinë?

Një tezë serioze duhet artikuluar në mbështetje të Perëndimit për të furnizuar qeverinë ukrainase me armë të sofistikuara dhe për t’u dhënë ndihmën e nevojshme në inteligjencë.  Madje, edhe drejtësia do të diktonte për t’i dhënë Ukrainës zëvendësimin e armëve bërthamore që ajo dorëzoi-edhe pse një politikë e matur do ta evitonte një ndërmarrje të tillë.  Sidoqoftë, ka vend për të forcuar më shumë taktikat frenuese duke kërcënuar me instalimin e forcave taktike bërthamore në shtetet e Evropës Lindore të përmendura më lartë.  Do të ishte ideale dislokimi i predhave të artilerisë me neutron, të cilat do të ndalonin forcat pushtuese në fushën e betejës dhe do të kursenin jetën e popullsisë civile në zonat përreth. Një strategji e zgjuar e diplomacisë në veprim, e cila mund t’ju japë rusëve një dalje me dinjitet nga Krimeja, duhet të jetë pika e parë në axhendë.  Por një diplomaci e tillë do të jetë, me siguri, një dështim vetëm në qoftë se Putini dhe banda e tij do të përballeshin me një mungesë të theksuar vullneti kundër vazhdimit të agresionit të tyre.

John Lenczowski (Xhon Lençouski) është themeluesi, president, dhe profesor i Institutit të Politikave Botërore, në Washington, D.C. Ka shërbyer si Drejtor i punëve Sovietike në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, në Shtëpinë e Bardhë dhe këshilltar i Presidentit Ronald Reagan.  Ky artikull është botuar në revistën National Review (SHBA), më 14 mars, 2014.

Përktheu në shqip: Peter Tase, Korrespondent i gazetës “Telegraf”, në Washington, D.C.