Raundi i dytë/ Zgjedhjet lokale në Maqedoni, pjesëmarrje e ulët e shqiptarëve

605
Procesi zgjedhor në Maqedoni, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, po zhvillohet në mënyrë demokratike, ndërsa deri në orën 10, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 8.9 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.
Dalja më e ulët edhe në raundin e dytë është regjistruar në komunat e banuara me popullatë shqiptare.
Sipas KSHZ-së, vendvotimet janë hapur me kohë dhe deri në paraqitjen e parë për media nuk janë regjistruar parregullsi.
Edhe asociacioni qytetar “MOST” që ka numrin më të madh të vëzhguesve, ka njoftuar për proces të rregullt zgjedhor dhe hapjen me kohë të qendrave të votimit.
Në 35 komuna të Maqedonisë po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale ku të drejtën e votës e kanë 833.716 qytetarë të regjistruar në listën e përgjithshme zgjedhore. Votimet që kanë nisur në orën 7 po zhvillohen në 1,517 vendvotime.
Për dallim nga raundi i parë i zgjedhjeve më 15 tetor, kur u votua edhe për këshillat komunalë dhe Qytetin e Shkupit, tani votohet vetëm për kryetarë të komunave, që kaluan në balotazh ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në rrethin e parë të zgjedhjeve.
Në garë janë 68 kandidatë të 8 subjekteve politike dhe 2 kandidatë të pavarur.
Gara kryesore zhvillohet kryesisht në komunat shqiptare, pasi nga 14 prej tyre me shumicë shqiptare, në raundin e parë janë zgjedhur kryetarët e vetëm dy komunave. Beteja po zhvillohet për komunat e Çairit në Shkup, Tetovë, Gostivar, Strugë, Dibër, si dhe komunat tjera që janë në zonat rurale. Gara zhvillohet mes kandidatëve të BDI-së, e cila ka mbështetjen e LSDM-së dhe atyre të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.
Te blloku politik maqedonas gara ka përfunduar në qytetet më të mëdha përfshirë edhe Shkupin, ndërsa kanë mbetur disa qytete më të vogla dhe të tjerat janë kryesisht në zonat rurale. Edhe në këtë balotazh, gara zhvillohet mes kandidatëve të LSDM-së së kryeministrit, Zoran Zaev dhe VMRO DPMNE-së ish kryeministrit, Nikolla Gruevski.
Për raundin e dytë të zgjedhjeve janë akredituar 5,101 vëzhgues vendorë dhe 473 të huaj. Zgjedhjet do të mbikëqyren edhe nga delegacioni i BE-së, Ambasada Amerikane, e cila ka akredituar 35 vëzhgues, ndërsa ka edhe vëzhgues nga vende tjera, si nga Britania e Madhe, Franca, Rusia, Shqipëria, Kosova e vende tjera.
Rezultatet e para nga balotazhit pritet të nisin të publikohen në mënyrë elektronike në faqen e internetit të KSHZ-së varësisht se si arrijnë nga qendrat e votimit, por ashtu sikur edhe në rrethin e parë rezultatet do të publikohen më herët nga partitë politike që kanë anëtar dhe vëzhgues nëpër të gjitha vendvotimet.
Maqedonia ka gjithsej 80 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e vetë-administrimit lokal me 10 komuna urbane në përbërje të tij.
Sigal