Raporti i OKB-së: Regjimi i Asad po vret dhe zhduk të burgosurit

465
Regjimi i Bashar Al Assad po vret dhe po zhduk të burgosurit. Alarmi ngrihet në një raport të publikuar nga vëzhguesit e të drejtave të njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku akuzon direkt presidentin sirian dhe funksionarët e tij për krime lufte.
Dokumenti i publikuar nënvizon se shumë prej të burgosurve janë vrarë, torturuar, rrahur për vdekje, kanë humbur jetën si pasojë e mungesës së ujit ose ushqimit, nga mos-trajtimi me medikamente apo me kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Raporti është hartuar në bazë të dëshmive të marra nga të burgosur, të cilët janë vënë pas hekurave që prej nisjes së protestave kundër qeverisë, në mars të vitit 2011.
Megjithatë, vëzhguesit deklarojnë gjithashtu se krime lufte nuk ka patur vetëm nga qeveritarët por edhe nga kundërshtuesit e regjimit të cilët mund të kenë cënuar të drejtat themelore të njeriut kundrejt ushtarëve të regjimit të Asad.
Që prej nisjes së krizës në Siri, më shumë se 250.000 persona kanë humbur jetën, 4.6 milionë prej tyre janë detyruar që të emigrojnë jashtë vendit ndërkohë që mbi 13.5 milionë kanë nevojë të menjëhershme për ndihma në ushqim dhe medikamente.
Sigal