Raporti i KE për Kosovën: Të mos humbet kohë, të zgjidhet qeveria

413
Sigal

BRUKSEL – Konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i qeverisë janë thirrjet urgjente që i ka bërë Komisioni Europian në progres raportin e publikuar sot për Kosovën. “Dështimi në konstituimin e legjislaturës së re pa probleme, dhe në kohë shënon kthim prapa në reforma. Bllokada paszgjedhore duhet të tejkalohet ndërsa Kuvendi dhe Qeveria duhet të krijohen urgjentisht”, thuhet shprehimisht në raport. Po ashtu, Komisioni Europian rekomandon edhe luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe krijimin e menjëhershëm të Gjykatës Speciale. Progres raporti ka përmendur disa nga arritjet e Republikës së Kosovës në një kohë të shkurtër, por nga ana tjetër thekson domosdoshmërinë e qeverisë së re për të marrë përsipër sfidat që pasojnë. Komisioni kërkon nga qeveria e re që të udhëheqë perspektivën europiane të Kosovës dhe të ndërmarrë reformat e nevojshme, duke filluar që nga administrata publike, ato zgjedhore e deri tek ristrukturimi ekonomik. Përpos këtyre, nevojitet edhe pavarësia e gjykatave, mediave dhe forcimi i të drejtave dhe lirive të njeriut. Një rol të rëndësishëm zë edhe procesi i dialogut me Serbinë, i cili do t’i mundësojë Kosovës progres edhe në fusha të tjera.