Ramush Haradinaj “nuk mban më”: Hashim Thaçi e Isa Mustafa, “kukulla” të Serbisë

525
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar nga Franca në lidhje me lajmin për vijimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, nesër më 24 janar. Ai thotë se pranimi i palës kosovare për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, me gjithë incidentet dhe marifetet e shkaktuara nga Serbia, do të thotë të mos e kuptosh interesin e shtetit tënd. Haradinaj madje i cilëson Thaçin dhe Mustafën, ‘kukulla’ të Serbisë.
“Përcaktimi i Hashim Thaçit e Isa Mustafës, që pavarësisht rrethanave të krijuara nga sulmet e njëpasnjëshme të Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës, të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, është pozicion i kukullave. Që të ulësh në një tavolinë bisedimesh me Serbinë, që po i shkakton kaq shumë dëme Kosovës, kjo edhe përmes sulmeve e marifeteve të fundit, siç janë muri, treni dhe fletëarrestet e sajuara, do të thotë të mos e kuptosh interesin e shtetit tënd”, deklaron Haradinaj.
Sipas tij, të pranosh të ulesh e të dialogosh me Serbinë, në këto rrethana e në kohën e një kundërshtimi kaq të madh popullor kundër një dialogu pa kushte, do të thotë të mos e përfaqësosh popullin.
“Ndërkaq sa i përket deklarimeve të prokurorëve e të politikanëve serbë për rastin tim, i porosis të gjithë ata, se kryeqyteti im nuk është Beogradi!”, shkruan kreu i AAK-së, i cili ndodhet në arrest shtëpie në Francë, pas arrestimit nga autoritetet e këtij vendi për një urdhër-ndalimi të vitit 2004 nga ana e Serbisë.
Sigal