Ramush Haradinaj: Kufijtë janë përgjegjësi e të gjithë neve

418
Haradinaj tha se kësaj teme të ndjeshme dhe të rëndësishme për vendin, duhet t’i qasemi seriozisht dhe të mos e konsiderojmë asnjëherë si çështje të një partie politike ose grupi të caktuar. Me nismën e kryetarit të AAK-së, deputetit dhe anëtarit të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Ramush Haradinaj, sot, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, u mbajt tryeza tematike “Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi”. Haradinaj tha se kësaj teme të ndjeshme dhe të rëndësishme për vendin, duhet t’i qasemi seriozisht dhe të mos e konsiderojmë asnjëherë si çështje të një partie politike ose grupi të caktuar. “Kufijtë janë përgjegjësi e të gjithë neve”, tha Haradinaj, duke i falënderuar ekspertët prezentë në tryezë duke i ftuar ata që të jenë pjesë e vazhdueshme e punës. Në tryezë diskutuan ekspertë të fushave të ndryshme, profesorë universitarë dhe njohës të hartografisë, aerografisë, topografisë, çështjeve kufitare, si prof. dr. Muharrem Cërrabregu, prof. dr. Florim Isufi, prof. dr. Muhamet Mala, prof. dr. Muhamet Sadiku, Gazmend Muhaxheri, Ali Lajçi etj. si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe kryetarë të komunave. Ekspertët dhanë argumentet e tyre që dëshmonin të kundërtën e asaj që është raportuar nga Komisioni Shtetëror për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Ekspertët e njohur të hartografisë në vend, thanë se Agjencioni Kadastral i Kosovës nuk është organi kompetent për caktimin e kufijve. Në fund u nxorën edhe konkluzionet e kësaj tryeze, në lidhje me demarkacionin shtetëror të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi. U tha se duhet referuar hartave kredibile, burimore të vitit 1962 dhe më herët; si dhe kufiri duhet përcaktuar mbi parimet Ujëndarëse (Drini i Bardhë), Qafore, Kodrinore dhe Natyrore. Gjithashtu, u vendos që të hartohen dhe të aprovohen nga institucionet e Kosovës bazat e punës Komisionit Shtetëror për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Sigal