Ramiz LUSHAJ/ Gjukanoviç i ka përjashtuar shqiptarët nga qeverisja në Malin e Zi?!

575
Sigal

Para tre vitesh shqiptarët etnik nën Malin e Zi kishin një ministër për të Drejtat e Njeriut e Pakicat. Aktualisht asnjë shqiptar nga gjashtë partitë politike shqiptare në koalicionin qeverisës nuk mban detyrë të lartë në këtë shtet multietnik. Në mars 2014, para rrugëtimit të parë të shtyrë për në Uashington D.C., kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç e emëroi për dekor politik e demagogjik një shqiptar në funksionin drejtor drejtorie në këtë ministri. Kjo është një ulje tejet e madhe e përfaqësimit politik të shqiptarëve në struktura të shtetit malazez. Ma saktë: një përjashtim i tyre nga qeverisja e këtij shteti të vogël ballkanik. Ky është diskriminim ekstrem ndaj shqiptarëve etnik, një përpjekje tjetër e skajshme dhe e pandalur për asimilimin e tyre.

Krejt ndryshe nga shqiptarët, ngjet me kroatët, komunitet i ardhur në Malin e Zi, të cilët kanë një ministër ‘Pa Portofol’ në Qeverinë 19 antarëshe të Gjukanoviçit. Ajo është 56 vjeçarja Marija Vuçinoviç, e lindur në Rijeka të Kroacisë, përfaqësuese e Partisë Iniciativa Qytetare Kroate. Nuk po shfaqim kundërshti ndaj saj, po nisur nga ky rast po e krahasojmë me shqiptarët etnikë.

-E para, shqiptarët etnik, për nga popullsia shqiptarët etnik janë pesë herë ma shumë se kroatët. Regjistri i popullsisë në Malin e Zi i dokumenton shqiptarët etnik si të katërtit, me 5 për qind, rreth 32.000 banorë, ndërsa kroatët e ardhur në vendin e gjashtë, me 1 për qind, mbi 6.300 banorë. Faktikisht kroatët vijnë edhe pas “myslimanëve” (term popullate e shpikur në demografinë malazeze për t’i “fshehur” etnikisht shqiptarët e për t’i rritur artificialisht boshnjakët ).

-E dyta, për nga besimi katolik shqiptarët etnik janë të parët në Malin e Zi, ndërsa kroatët vijnë të dytët.

-E treta, gjeografia demografike e shqiptarëve është tejet e madhe në hapësira gjeo-administrative. Shqiptarët etnik, dikur në mbi 9 mijë km2 sipërfaqe të Malit të Zi të sotëm, janë rrudhur etnikisht nga pushtimet e aneksimet e tokave të tyre, po është ulur edhe popullsia e tyre nga spastrimet etnike e asimilimet e shqiptarëve myslimanë në boshnjakë mysliman e të shqiptarëve katolikë në malazezë ortodoksë etj.  Shqiptarët në Ulqin e Tuzi shumicë, në Guci, Tivar, Rozhajë, Plavë, Podgoricë deri në 30 për qind të popullsisë, ndërsa në 10 komuna janë nën 100 banorë. Kroatët janë komunitet i ardhur në shtetin e Malit të Zi e të përqendruar në bregdetin Adriatik. Kryesisht kanë ngulur në komunën Tivar me 20 për qind (aty kanë edhe selinë e partisë së tyre–HGI), në Kotorr 8 për qind. Në komuna të tjera janë në një numër tepër të vogël.

-E katërta, përfaqësimi politik në nivel komunar.

Shqiptarët janë shumicë në Ulqin, me rreth 80 për qind, e në Tuzi “komunë urbane”, që kërkon të kthehet në komunë më vete. Në Plavë-Gucinë e copëtuar në dy komuna shqiptarët ishin të dytët, priten për saktësime zgjedhjet lokale të 25 majit 2014. Në Podgoricë, Tivar e Rozhajë janë të tretët. Kroatët janë të tretët në Tivar, në koalicion me DPS të Gjukanoviçit e me SDP, ndërsa në Kotorr të tretët, po në një numër të vogël këshilltarësh.

-E pesta, Shqiptarët kanë dy herë më shumë deputetë në Parlament se sa kroatët.

Në Kuvendin e Podgoricës partitë shqiptare në dy koalicione partiake para e pas elektorale kanë dy deputetë: Genci Nimanbegu e Nikë Gjeloshaj.

Kroatët kanë vetëm një deputet, bile i dalë me vështirësi votash (!)

Nga politika shqiptare në Malin e Zi, të zgjedhur e të emëruar në detyra të ndryshme, numërohen me gishtat e një dore të vetme (!) Janë dy deputetë. I porsazgjedhuri  kryetari i komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, ish-deputet dhe lider i PD-së. Dy drejtorë drejtorie në nivele qendrore ministrore të pushtetit politik. Vetëm kaq.

Partia Boshnjakë e Rozhajës në koalicion qeverisës me Gjukanoviçin në këtë legjislaturë parlamentare ka tre deputetë, një deputetë ma shumë se shqiptarët. Kjo përfaqësohet me një nënkryetar Parlamenti, me 41 vjeçarin Sulja Mustafiq, nga kuadrot kryesor të kësaj partie. Gjithashtu, ka dhe një zëvendëskryeministër, 50 vjeçarin Rafet Husoviq, prej vitit 2006 President i Partisë Boshnjake të Rozhajës, i cili në detyrën e tij ekzekutive mbulon zhvillimin rajonal dhe i stimulon veçmas boshnjakët.

Në Malin e Zi, në qoftë se kryejmë një përllogaritje të thjeshtë aritmetike: numrin e përgjithshëm të popullsisë multietnike të saj e pjesëtojmë me numrin e ministrive të Qeverisë “Gjukanoviçi 7” del se shqiptarëve etnikë iu takon ma shumë se një ministri. Nëse do të bënim një krahasim me kroatët iu takojnë disa ministri. Po t’i krahasonim me boshnjakët duhej t’iu jepet e pakta një ministri edhe shqiptarëve etnik.

Mali i Zi, shtet me dy kryeqytete, pasi e la selinë e Presidentit në Çetinë e ngriti në gjysmën e dytë të shekullit XX një kryeqytet tjetër në Podgoricën shqiptare, ku vendosi selinë e Parlamentit e të Kryeministrisë. Nuk ndodh në asnjë vend të botës, që pasi e ke pushtuar prej 100 vjetësh, aneksuar mbi gjysmën e territorit të saj, ia ngre një Parlament me kryetar e tre nënkryetar, një Qeveri me kryeministër, katër zv/kryeministra e 16 ministri, e nuk iu jep banorëve autoktonë mijëravjeçarë një vend nënkryetari parlamenti, zv/kryeministri, një post ministri?! Kur Hitleri e pushtoi Shqipërinë (1943-’44) nuk veproi si Gjukanoviçi i sotëm, po iu dha pushtet të madh shqiptarëve. Ndaj me sjelljet e tij ndaj shqiptarëve, Gjukanoviçi që hiqet si “kampion demokracie” në Ballkan është më i keq se fashisti Hitler. Ky përjashtim politik i shqiptarëve etnik nga qeverisja e Malit të Zi është krejt e qëllimshme nga Gjukanoviçi me të vetët, që synon asfiksimin e partive politike shqiptare, asimilimin e shpërnguljen e shqiptarëve nga trevat e veta etnike. Ndaj kemi të drejtë të pyesim botën shqiptare në Ballkan e në diasporat e saj në globin tokësor, dhe botën euroatlantike në dy anët e Atlantikut: Ku janë Shqiptarët nën Malin e Zi…?!

Ky diskriminim shoven tejet i egër kundër shqiptar e anti euro-atlantik, është një tjetër arsye më shumë për të protestuar më 8 prill 2014 në Uashington kundër Gjukanoviçit e në mbrojtje të të drejtave etnike, politike, kulturore-arsimore, pronësore, sociale të shqiptarëve etnik.